Transmetuar më 23-02-2026, 08:54

Tiranë, 23 Shkurt 2026 – Individët që gjatë vitit 2025 kanë pasur pagë mujore bruto 50 mijë lekë (600 mijë lekë në vit) nuk mund të përfitojnë kompensim për fëmijët në ngarkim përmes Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), pasi rezultojnë me zero tatim të paguar.

Kontabilisti Armand Mala shpjegon se shumë punonjës me këtë nivel page kanë tentuar të përfshijnë zbritjet për fëmijët në ngarkim apo shpenzimet arsimore, por sistemi nuk i llogarit, për shkak se baza tatimore është zero.

Pse nuk përfitojnë kompensim?

Sipas nenit 22/1/a të ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale:

Për të ardhura deri në 600,000 lekë në vit, aplikohet një zbritje prej 600,000 lekësh.

Kjo do të thotë që tatimi për t’u paguar rezulton 0 lekë.

Në praktikë, kur plotësohet DIVA:

Të ardhurat bruto vjetore: 600,000 lekë

Zbritja ligjore: 600,000 lekë

Tatimi i llogaritur: 0

Tatimi i paguar: 0

Meqenëse tatimi i paguar është zero, individi nuk rezulton me tatim të mbipaguar, ndaj nuk ka shumë për t’u rimbursuar.

“Kompensimi aplikohet vetëm mbi tatimin e llogaritur. Kur ai është zero, nuk ka çfarë të ulet më tej,” shpjegon Mala.

Kush mund të përfitojë?

Kompensimi përmes DIVA përfitohet vetëm nëse pas rillogaritjes vjetore rezulton tatim i mbipaguar.

Përfitojnë:

Individët me fëmijë në ngarkim (48,000 lekë zbritje për çdo fëmijë nën 18 vjeç)

Individët që kanë shpenzime arsimore të justifikuara (deri në 100,000 lekë në vit për të ardhura nën 1.2 mln lekë)

Edhe individët pa fëmijë, nëse nga rillogaritja rezulton mbipagesë tatimore

Tatimi këtë vit rillogaritet mbi bazë vjetore, jo mujore, çka mund të krijojë raste me mbipagesë, në varësi të shpërndarjes së të ardhurave gjatë vitit.

Shembuj kompensimi

Për të ardhura mbi 1.2 mln lekë/vit me 1 fëmijë: rreth 62 euro në vit

Për të ardhura mbi 2 mln lekë/vit me 2 fëmijë: rreth 12,000 lekë

Për paga mbi 200 mijë lekë/muaj (tatim 23%): 11,040 lekë për fëmijë

Maksimumi i përfituar në disa raste: deri në 250 euro

Si bëhet aplikimi për rimbursim?

Plotësohen të dhënat bankare (IBAN) te “Profili im” në e-Filing.

Te “Çështjet e mia” → “Pyetje të përgjithshme” krijohet kërkesë e re.

Përshkrimi:“Unë (emër, mbiemër), me numër identifikimi (…), paraqes kërkesën për rimbursim/kompensim të DIVA.”

Dokumentet që duhen bashkëngjitur:

IBAN personal

Certifikatë familjare

Fatura të fiskalizuara për shpenzimet arsimore (për vitin 2025)

Afatet

Deri tani DIVA është plotësuar nga rreth 30 mijë individë. Administrata Tatimore pret që deri më 31 mars numri të arrijë në 200 mijë deklarues.

Përfundimi

Punonjësit me pagë 50 mijë lekë/muaj nuk kanë detyrim tatimor vjetor dhe për rrjedhojë nuk kanë të drejtë kompensimi përmes DIVA, pasi zbritja ligjore mbulon plotësisht të ardhurat e tyre. Kompensimi aplikohet vetëm në rastet kur ekziston tatim i mbipaguar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit