Transmetuar më 23-02-2026, 08:50

Operacioni policor në Vlorë, arrestohen Fioraldo Meminaj dhe Lirim Likaj – sekuestrohen 57 kg lëndë narkotike dhe armë automatike

Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Brotherhood”, i zhvilluar për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Si rezultat i operacionit, u sekuestruan rreth 57 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis dhe një armë zjarri automatike model 56, së bashku me një karikator me 30 fishekë luftarakë. Në flagrancë u arrestuan shtetasit Fioraldo Meminaj, 41 vjeç, banues në fshatin Trevllazër, dhe Lirim Likaj, 40 vjeç, banues në fshatin Mavrovë, Vlorë.

Sipas Policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për dy persona që dyshohej se merreshin me transport dhe shitje të lëndës narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin.

Gjatë aksionit, shërbimet e Policisë ndaluan dhe kontrolluan automjetin tip “Volkswagen Touran”, me të cilin udhëtonin Meminaj dhe Likaj. Nga kontrolli i mjetit u gjet dhe u sekuestrua një sasi kanabisi e përgatitur për shitje.

Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në banesën e Fioraldo Meminajt në fshatin Trevllazër, u gjet dhe u sekuestrua një sasi tjetër kanabisi, duke e çuar totalin në rreth 57 kilogramë.

Ndërkohë, në banesën e Lirim Likajt në fshatin Mavrovë, u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri automatike model 56 me 30 fishekë luftarakë.

Të dy shtetasit akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit