

Një stuhi e fuqishme dëbore ka përfshirë verilindjen e Shteteve të Bashkuara, duke detyruar autoritetet në New York City të shpallin masa emergjente për sigurinë publike.
Kryebashkiaku i qytetit, Zohran Mamdani, njoftoi vendosjen e një shtetrrethimi të përkohshëm në metropolin me rreth tetë milionë banorë, duke theksuar se qyteti nuk ka përjetuar kushte të tilla ekstreme moti në dhjetë vitet e fundit.
“Po shpallim gjendje të jashtëzakonshme dhe po ndalojmë trafikun nga ora 21:00 deri të hënën në mesditë”, deklaroi Mamdani gjatë një konference për shtyp.
Sipas vendimit, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve, përfshirë makina, kamionë, motoçikleta dhe biçikleta elektrike. Rrugët, autostradat dhe urat do të mbyllen për trafikun e zakonshëm, ndërsa do të lejohen vetëm lëvizjet emergjente dhe shërbimet thelbësore.
Parashikimet meteorologjike flasin për reshje dëbore nga 45 deri në 60 centimetra, me mundësi që në disa zona trashësia të kalojë edhe 70 centimetra. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të qëndrojnë në banesa deri në stabilizimin e situatës.
Edhe qytete të tjera në lindje të SHBA-së, përfshirë Boston, janë në gatishmëri të lartë për përballimin e stuhisë.
Kujtojmë se në fund të muajit janar, një stuhi e fortë dimërore në rajon shkaktoi mbi 100 viktima, duke e bërë këtë alarm të ri edhe më shqetësues për autoritetet dhe banorët.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






