Transmetuar më 22-02-2026, 21:03

Aksi rrugor Librazhd–Pogradec vijon të mbetet i mbyllur për qarkullimin, për shkak të dëmtimeve të mëdha në segment dhe degradimit të urës, duke krijuar vështirësi serioze për lëvizjen e qytetarëve dhe transportin në zonën e Juglindjes.

Sipas autoriteteve, dëmtimet janë shkaktuar nga lëvizjet e tokës dhe problematikat gjeologjike që prej ditësh kanë prekur këtë segment strategjik rrugor, duke e bërë të pamundur qarkullimin e sigurt të automjeteve.

Devijimi nga rruga e lashtë

Për të shmangur aksin e dëmtuar, drejtuesit e mjeteve po përdorin si alternativë gjurmët e Via Egnatia, rrugë historike e ndërtuar rreth 2 mijë vite më parë, ku dikur kalonin karvanët romakë. Megjithatë, ajo është funksionale vetëm në disa segmente.

Autoritetet bëjnë me dije se paralelisht me procesin e demontimit të urës së dëmtuar, po shqyrtohen alternativa për zgjidhje provizore, si dhe ndërtimi i një strukture të re, me synimin për rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në këtë nyje të rëndësishme rrugore.

Deri në një njoftim të dytë, segmenti do të vijojë të mbetet i bllokuar, ndërsa qytetarët duhet të ndjekin devijimet e përcaktuara nga strukturat përgjegjëse.

Reagimi politik

Ndërkohë, Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar duke akuzuar qeverinë se paraliza e akseve në Juglindje nuk lidhet me fenomenet natyrore, por me keqmenaxhimin dhe korrupsionin e fondeve publike.

Debati mbi përgjegjësitë për situatën e krijuar pritet të vijojë, ndërsa banorët dhe drejtuesit e mjeteve përballen me vështirësi të shumta në lëvizje.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit