

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që tronditi Italinë, ku një 20-vjeçar shqiptar humbi jetën pasi u hodh në det në zonën e portit të Civitanova Marche.
Viktima është identifikuar si Riccardo Merkuri, i cili, sipas mediave italiane, kishte sulmuar nënën e tij në banesë, duke e goditur me grushte në fytyrë në ditën e tij të lindjes. Pas episodit të dhunës, i riu u largua nga shtëpia me automjetin e tij dhe u drejtua për në Civitanova Marche.
Që nga mbrëmja e së premtes, familjarët kishin humbur kontaktet me të. Autoritetet gjetën makinën e tij pranë portit, çka ngriti dyshimet se ai mund të ishte hedhur në det.
Gjatë ditës së sotme, trupi i pajetë i 20-vjeçarit u gjet nga zhytësit profesionistë dhe më pas u transportua në morgun e qytetit për procedurat përkatëse.
Familja e të riut, me origjinë shqiptare dhe e vendosur në Itali prej më shumë se dy dekadash, njihet në zonën e Pollenza.
Ndërkohë, nëna e tij, Albana Kastriot, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë ngjarje tragjike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






