Transmetuar më 22-02-2026, 19:53

U bënë javë e muaj, që rruga kombëtare e cila lidh kryeqytetin me juglindjen është përfshirë nga bllokime të vazhdueshme. Kaosi është bërë kantieri pasues i kantierëve të ndërtimit që duket se e dorëzuan veprën me parimin lënie e rrugëve – rrugëve, sigurisht, jo pa ndihmën e shtetit inaktiv në kërkesë llogarie.

Situata që është kthyer në shqetësim dite për shumë njerëz, nuk u pasua nga një ndjesë publike e qeverisë.

Megjithatë, ka dukshëm përpjekje për të zvogëluar deri diku impaktin e këtij kaosi rrugor, por ende rruga kombëtare vazhdon të jetë në disa pjesë të saj, një "rrugë dhish".

Ajo që në fillim nisi si problem në një pjesë të aksit rrugor që të çon drejt Korçës, shpejt u kthye në reaksion zinxhir aq sa menaxhimi i tyre po bëhet i pamundur.

Rrëshqitjet e vazhdueshme të dheut, çarjet në asfalt dhe deformimet e barrierave mbrojtëse kanë krijuar frikë dhe pasiguri për drejtuesit e mjeteve dhe mallrave.

Rezultati: Orë dhe ditë të tëra rrugët janë të bllokuara, trafiku bëhet kilometrik dhe njerëzit rraskapiten rrugëve, duke paguar papërgjegjshmërinë e shtetit.

Përveç bllokimit total të Elbasan-Qafë Thanë, aks rrugor që lidhet me projektin e Korridori VIII, rrëshqitjet e tokës kanë përfshirë edhe linjën hekurudhore. Po ashtu, edhe linjën elektrike me tension të lartë 110 KV, duke rritur rrezikun për ndërprerje të energjisë dhe pasoja të tjera zinxhir.

Cirku i rrugëve

Pas mbylljes së rrugës Librazhd–Pogradec, qarkullimi u devijua përmes itinerarit Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh. Megjithatë, as kjo alternativë nuk rezultoi plotësisht e sigurt.

Sipas Policisë, aktualisht lejohet vetëm kalimi i automjeteve të vogla, ndërsa autobusët dhe kamionët janë të ndaluar për shkak të dëmtimeve të shumta përgjatë gjithë segmentit.

Gjatë kësaj rruge vërehen shembje skarpatesh, rënie gurësh dhe zhvendosje anësore të asfaltit. Në disa zona, shtresa e asfaltit është çarë, ndërsa barrierat mbrojtëse janë përkulur, duke treguar probleme të qëndrueshmërisë së infrastrukturës.

Banorë dhe drejtues mjetesh raportojnë se situata përkeqësohet pas çdo reshjeje të fortë.

Ndërkohë, problematika janë evidentuar edhe në aksin Kukës–Qafë Plloçë, i konsideruar si një projekt kyç për lidhjen e juglindjes me Elbasanin dhe Tiranën. Dëmtimet e shfaqura me reshjet e para kanë ngritur pikëpyetje për cilësinë e punimeve dhe mbikëqyrjen teknike të tyre.

Kostoja financiare e këtyre projekteve ka qenë e konsiderueshme. Aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh është financuar me rreth 1.4 miliardë lekë, ndërsa për segmentin Kukës–Qafë Plloçë janë shpenzuar rreth 260 milionë euro.

Këto vlera dhe plot të tjera, si pjesa e dytë e aksit Tiranë-Elbasan, tuneli i Llogorasë, rruga e Arbrit, etj., i kanë kthyer rrugët kombëtare në akse të shtrenjta, por ç’është më e keqja, shpenzime që nuk i shërbejnë të ardhmes dhe madje nuk po vlejnë as sot.

Kështu tuneli i Llogarasë, edhe pse u pagua sa frëngu pulën dhe do vazhdojë ti kushtojë shqiptarëve sa herë të futen e të dalin, është shpesh, një segment me trafik të detyruar. Kalimi është vetëm me një korsi, shpejtësia e limituar dhe si rrjedhojë, karvani krijohet në çdo kohë.

Ky tunel u përurua në kulmin e bumit turistik dhe mes parashikimeve për rritje drastike të tij në vitet e ardhshme.

Në anën tjetër, është dhe rruga tejet e amortizuar Tiranë-Durrës, aktualisht e nivelit superstradë. Ajo bën jo vetëm shpërndarjen praktikisht në të gjithë vendin, por shërben në pjesën e parë të tij si zonë industriale ku janë përqendruar shumë biznese dhe shërbime.

Disa herë u premtuar kthimi i saj në autostradë me 3 korsi në secilin kah plus 1 për emergjencat, por as kilometrat e parë të segmentit 45 km nuk kanë mbaruar.

Për qytetarët, pyetja kryesore mbetet: sa të sigurta janë sot këto akse kombëtare për udhëtim. E për më tepër, sa kohë do ta paguajmë ende shtrenjt kohën e vyer që nuk kthehet pas?

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit