

Një 20-vjeçar është qëlluar për vdekje nga agjentët e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara dhe nga një efektiv i Policisë së Qarkut Palm Beach, pas një hyrjeje të paautorizuar në perimetrin e sigurisë së resortit Mar-a-Lago, në orët e para të mëngjesit të 22 shkurtit.
Sipas autoriteteve, i riu u pa pranë portës veriore të pronës duke mbajtur një armë gjahu (shotgun) dhe një bidon me lëndë djegëse. Pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë, situata ka përshkallëzuar dhe është hapur zjarr, duke lënë 20-vjeçarin të vdekur në vendngjarje.
I dyshuari është nga Karolina e Veriut dhe u raportua i zhdukur nga familja e tij disa ditë më parë, sipas autoriteteve.

Autoritetet konfirmuan se asnjë agjent i Shërbimit Sekret dhe asnjë efektiv i policisë lokale nuk mbeti i lënduar gjatë incidentit. Në momentin e ngjarjes, në resort nuk ndodhej asnjë person nën mbrojtjen e Shërbimit Sekret.
Presidenti Trump priti guvernatorët e shteteve në Shtëpinë e Bardhë të shtunën në mbrëmje dhe nuk ishte në Mar-a-Lago në kohën e të shtënave.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, përfshirë motivin e mundshëm dhe përdorimin e forcës nga autoritetet, po zhvillohen nga Byroja Federale e Hetimit (FBI), në bashkëpunim me Shërbimin Sekret dhe Policinë e Qarkut Palm Beach.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






