Transmetuar më 22-02-2026, 14:38

Prokuroria e Elbasanit ka filluar me iniciativë të saj hetimet për dëmtimet që prej ditës së djeshme kanë sjellë bllokimin tërësor të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd-Pogradec.

Ky procedim penal është regjistruar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”.

Që në orët e para të mëngjesit, në terren kanë qenë të pranishëm IKMT Elbasan, Policia Shkencore dhe Prokuroria, të cilat po kryejnë verifikime intensive mbi aktivitetin e një kompanie që dyshohet se ka ushtruar shfrytëzim të lumit për marrjen e inerteve.

Burime nga grupi i inspektimit bëjnë me dije se po kontrollohet dokumentacioni mbi lejen për shfrytëzim, koordinatat e miratuara të ndërhyrjes, si dhe nëse janë respektuar sasitë e lejuara të materialeve të nxjerra.

Situata në terren paraqitet alarmante. Përveç bllokimit total të aksit rrugor që lidhet me projektin e Korridori VIII, rrëshqitjet e tokës kanë përfshirë edhe linjën hekurudhore, si dhe linjën elektrike me tension të lartë 110 KV, duke rritur rrezikun për ndërprerje të energjisë dhe pasoja të tjera zinxhir.

Ekspertët po analizojnë nëse ndërhyrjet në shtratin e lumit kanë ndikuar drejtpërdrejt në destabilizimin e tokës, duke përkeqësuar situatën gjeologjike në zonë.

Për shkak të dëmtimeve të rënda që pësoi rruga Librazhd-Pogradec, Autoriteti Rrugor Shqiptar bllokoi tërësisht qarkullimin në këtë aks, jo vetëm për automjetet, pro edhe për këmbësorët.

Prej më shumë se 24 orësh, lidhja e vetme nga Tirana drejt Korçës është përmes aksit Maliq–Moglicë–Gramsh, një rruge që kalohet me vështirësi për shkak të infrastrukturës së amortizuar dhe që shton distancën me një orë.

Për drejtuesit e mjeteve, ARRSH thotë se duhet të përdorin rrugët Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan dhe Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë, ndërsa drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, duhet të përdorin rrugët në Pikën doganore Qafë Thanë – Maqedoni dhe Pikë doganore të Bllatës – Rruga e Arbërit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit