

Kryeministri Edi Rama, në podkastin “Flasim”, trajtoi një sërë çështjesh aktuale, përfshirë procesin gjyqësor në Hagë, situatën politike në vend dhe protestat e opozitës. Një vëmendje e veçantë iu kushtua projektit TID për rijetëzimin e Bulevardit historik “Epidamn” në Durrës, i cili është kundërshtuar nga një pjesë e banorëve të zonës.
Kreu i qeverisë deklaroi se projekti po keqinterpretohet, duke theksuar se Zona Arkeologjike A përbën një pasuri të jashtëzakonshme të trashëgimisë kombëtare dhe botërore. Ai përmendi monumente me rëndësi të veçantë si Amfiteatri Romak i Durrësit, Forumi Bizantin i Durrësit dhe Termat Romake të Durrësit, duke i cilësuar ato si pjesë të qytetërimit evropian.
Sipas Ramës, projekti nuk është i papritur, por mbështetet në programin qeverisës dhe në Planin e Menaxhimit të Integruar të vitit 2022, të hartuar nga Ministria e Kulturës dhe të hedhur në konsultim publik. Ai nënvizoi se Ligji për Trashëgiminë Kulturore e detyron shtetin të ndërhyjë për të parandaluar degradimin dhe ndërtimet informale në zonat me vlerë historike.
Kryeministri theksoi se synimi për përfshirjen e zonës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO e shndërron projektin në një detyrim edhe në nivel ndërkombëtar.
Ai argumentoi se ndërhyrje të tilla, përfshirë shpronësimet, janë praktika të njohura ndërkombëtarisht, duke përmendur rastet e zhvillimeve arkeologjike në Romë dhe Athinë. Sipas tij, qeveria do të veprojë me ndjeshmëri dhe drejtësi ndaj banorëve, por me vendosmëri për të mbrojtur interesin kombëtar dhe trashëgiminë historike.
Pjesë nga fjala e Ramës Projekti i rijetëzimit të zemrës historike të Durrësit po shoqërohet me keqinterpretime dhe keqinformime që nuk kanë të sosur, ndërkohë që realizimi i tij është me natyrë strategjike për të ardhmen e qytetit të vjetër mesdhetar dhe të Shqipërisë Europiane si një destinacion i rëndësishëm turistik në Mesdhe.
Zona Arkeologjike A ku do të marrë jetë projekti, nuk është një hapësirë e zakonshme urbane dhe çdo debat pronash mbi atë zonë nuk duhet të dalë nga korniza e faktit themelor: Ajo zonë është pronë e thesarit të trashëgimisë sonë kombëtare dhe pjesë e trashëgimisë botërore. Amfiteatri Romak, Forumi Bizantin, Termat Romake janë monumente të qytetërimit europian, jo thjesht monumente të regjistrit tonë kombëtar të trashëgimisë. Objektivi për hyrjen e kësaj zone në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e çon këtë projekt përtej dimensionit kombëtar. E bën një detyrim ndërkombëtar.
Ky projekt nuk ka lindur sot as ka marrë formë në errësirë, po është mbështetur mbi një program të kahershëm të kësaj qeverie për atë zonë, si edhe një Plan të Menaxhimit të Integruar, hartuar nga Ministria e Kulturës dhe hedhur në konsultim publik në vitin 2022. Ligji për Trashëgiminë Kulturore e detyron shtetin të ndërhyjë kundër degradimit apo ndërtimeve informale në zonat e trashëgimisë kulturore. Pikërisht këtë ne po bëjmë.
Historia ndërkombëtare tregon se asnjë vend nuk ka zbuluar, nuk ka konservuar dhe nxjerrë në pah trashëgimi të këtyre përmasave pa ndërmarrë shpronësime.
Në Romë, mijëra e mijëra prona u shpronësuan për hapjen e Forumeve Imperiale. Në Athinë, u realizuan shpronësime masive për zonën përreth Akropolit dhe krijimin e parkut arkeologjik.
Ne do të bëjmë pikërisht këtë, me ndjeshmëri e me drejtësi ndaj banorëve, po me vendosmëri ndaj interesit kombëtar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






