Transmetuar më 22-02-2026, 08:09

Është shpëtuar 22-vjeçari i cili mbeti i bllokuar në Kanioni i Osumit, pasi kishte hyrë në lumë për t’i ardhur në ndihmë forcave RENEA gjatë kërkimeve për gjetjen e trupit të 45-vjeçarit Ilir Kurti.

I riu, Xhuljano Kaloti, kishte mbetur i ngecur në ujë që prej mesditës së së shtunës, ndërsa përpjekjet fillestare për nxjerrjen e tij nga zona rezultuan të pasuksesshme për shkak të kushteve të vështira.

Fatmirësisht, mëngjesin e kësaj të diele ai u shpëtua dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas burimeve zyrtare, 22-vjeçari është i vetëdijshëm dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e ekipit mjekësor.

Në një njoftim zyrtar, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri të ditur se operacioni i kërkim-shpëtimit u koordinua në bashkëpunim me strukturat vendore dhe u realizua falë angazhimit të alpinistëve, vullnetarëve, forcave RENEA dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në kushte tepër sfiduese.

“Operacioni vijon pa ndërprerje për kërkimin e personit tjetër të raportuar të humbur”, thuhet në njoftim.

Kanioni i Osumit ka një gjatësi rreth 12 kilometra dhe thellësia e tij arrin deri në 90 metra. Në këto nivele prurjesh, ndërhyrja nga persona të patrajnuar paraqet rrezik maksimal.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit