Transmetuar më 21-02-2026, 22:52

Dosjet e alienëve po vijnë: Trump urdhëron qeverinë të publikojë të dhënat e UFO-ve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se do t’u kërkojë agjencive federale të publikojnë dokumente qeveritare që lidhen me UFO-t dhe objektet ajrore të paidentifikuara, raporton noa.al e cila ka monitoruar deklaratat e Trump dhe paraardhësit Obama në 48 orët e fundit.

Presidenti tha se ka vendosur t’i udhëzojë shefin e Pentagonit, Pete Hegseth, dhe agjencitë e tjera përkatëse që të fillojnë procesin e identifikimit dhe publikimit të dosjeve qeveritare që lidhen me jetën aliene dhe jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP) dhe objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO).

Në një postim publik, Trump e ka cilësuar këtë temë si me interes të madh publik dhe ka përfshirë në këtë proces edhe kreun e Pentagonit, Pete Hegseth.

Trump ka akuzuar gjithashtu ish-presidentin Barack Obama se ka menaxhuar keq informacionet e klasifikuara që lidhen me alienët.

Deklaratat e paraardhësit të Trump, Barack Obama, u bënë virale fundjavën e kaluar pasi podkasteri Brian Tyler Cohen e pyeti ish-presidentin nëse alienët janë “realë”.

“Ata janë realë, por unë nuk i kam parë,” u përgjigj Obama. “Dhe nuk po mbahen në… si quhej? Area 51. Nuk ka ndonjë strukturë nëntokësore, përveç nëse ekziston një komplot i madh dhe e kanë fshehur edhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara.”

Të enjten, Trump e akuzoi Obamën se kishte zbuluar “informacione të klasifikuara”.

Presidenti u tha gazetarëve në bordin e Air Force One: “Nuk e di nëse janë realë apo jo”, ndërsa për Obamën shtoi: “Mund ta nxjerr nga telashet duke deklasifikuar dokumentet.”

Obama sqaroi më herët këtë javë se nuk kishte parë prova që alienët “kanë bërë kontakt me ne”, por theksoi se “statistikisht, universi është aq i madh sa gjasat janë të mira që diku tjetër të ketë jetë.”

Trump u foli kështu gazetarëve se për mundësinë e vizitorëve jashtëtokësorë: “Nuk kam një opinion për këtë. Nuk flas kurrë për këtë. Shumë njerëz flasin. Shumë njerëz e besojnë.”

Megjithatë, nusja e tij, Lara Trump, sugjeroi këtë javë se Trump ishte gati të fliste për këtë çështje, duke deklaruar në një podcast se presidenti kishte përgatitur një fjalim për alienët që do ta mbante “në kohën e duhur.”

Kjo ishte risi për Shtëpinë e Bardhë. Sekretarja e shtypit Karoline Leavitt reagoi me të qeshur kur u pyet për këtë dhe tha: “Një fjalim për alienët do të ishte lajm edhe për mua.”

Interesi publik për UFO-t dhe për mundësinë që qeveria të fshehë sekrete mbi jetën jashtëtokësore u rindez në vitin 2017, pasi një grup ish-zyrtarësh të Pentagonit dhe qeverisë publikuan video të Marinës Amerikane me objekte të panjohura. Kjo çoi në mbajtjen e seancave të para dëgjimore në Kongres për UFO pas 50 vitesh, në maj 2022. Zyrtarët deklaruan se objektet, që dukeshin si trekëndësha të gjelbër mbi një anije të Marinës, ka të ngjarë të ishin dronë.

Që atëherë, Pentagoni ka premtuar më shumë transparencë për këtë temë. Informacioni i bërë publik tregon se shumica e raportimeve të UFO-ve nga ushtria mbeten të pazgjidhura, por rastet që janë identifikuar rezultojnë kryesisht të padëmshme.

Sipas presidentit amerikan, ekziston një “interes i jashtëzakonshëm” për këtë çështje. Në një postim në rrjetin e tij social Truth, ai ka siguruar se do të bëhen publike “të gjitha informacionet e lidhura me këto çështje jashtëzakonisht komplekse, por shumë interesante dhe të rëndësishme”.

Pritet dalja e dosjeve sekrete

Donald Trump ka theksuar se do të publikohen dosjet qeveritare “që lidhen me jetën aliene dhe jashtëtokësore, me fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP) dhe me objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO)”. Ai ka përsëritur se interesi publik është shumë i madh dhe ka premtuar transparencë të plotë mbi këtë temë që vazhdon të ngjallë debat dhe kureshtje në mbarë botën.

Më herët gjatë ditës, Trump, akuzoi ish-presidentin Barack Obama se kishte zbuluar në mënyrë të papërshtatshme informacione të klasifikuara kur foli publikisht për alienët. Trump tha se Obama “bëri një gabim të madh”.

“Ai e nxori nga informacioni i klasifikuar… Nuk duhet ta bënte këtë,” u tha Trump gazetarëve gjatë udhëtimit për në Xhorxhia.

Në një intervistë me podkasterin Brian Tyler Cohen, e publikuar të shtunën, Obama u pyet nëse alienët janë realë dhe u përgjigj kështu:

“Ata janë realë, por unë nuk i kam parë dhe nuk po mbahen në… Area 51. Nuk ka ndonjë strukturë nëntokësore, përveç nëse ekziston një komplot i madh dhe e kanë fshehur edhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara,” tha Obama.

“Nuk pashë asnjë provë gjatë presidencës sime që jashtëtokësorët kanë bërë kontakt me ne. Vërtet!” shkroi Obama në një postim në Instagram të dielën.

Në të njëjtin postim, Obama shpjegoi se beson se mundësia e ekzistencës së jetës përtej Tokës është e lartë për shkak të madhësisë së universit, por shtoi se gjasat që ajo jetë të ketë vizituar Tokën janë të vogla për shkak të distancave të mëdha.

Ai theksoi gjithashtu se nuk kishte parë prova që alienët ekzistojnë, duke thënë: “Nuk e di nëse janë realë apo jo.”

Area 51 është një bazë e klasifikuar e Forcave Ajrore në Nevada, për të cilën teoricienë të ndryshëm kanë spekuluar se mban trupa alienësh dhe një anije kozmike të rrëzuar. Arkivat e CIA-s të publikuara në vitin 2013 sqaruan se zona ishte përdorur si vend testimi për avionë spiunë tepër sekretë.

Vitet e fundit, Pentagoni ka hetuar raportime për UFO dhe drejtues të lartë ushtarakë deklaruan në vitin 2022 se nuk kishin gjetur prova që të sugjeronin se alienët kishin vizituar Tokën apo ishin rrëzuar këtu.

Një raport i Pentagonit në vitin 2024 theksoi se hetimet e qeverisë amerikane që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore nuk kishin gjetur prova për teknologji jashtëtokësore dhe se shumica e vëzhgimeve rezultonin objekte apo fenomene të zakonshme të keqidentifikuara.

Megjithatë, faqja zyrtare e Administratës Kombëtare të Arkivave dhe Regjistrave (NARA) tregon se ekzistojnë dokumente që lidhen me UFO në koleksione të ndryshme arkivore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit