

Shkarkimet me rreth 100 metër kub ujë në sekondë nga Hidrocentrali i Banjës kanë rritur ndjeshëm prurjet në lumenjtë e qarkut Fier, duke shkaktuar përmbytje në toka bujqësore dhe banesa.
Situata paraqitet më problematike në fshatrat Petovë dhe Mbrostar të Bashkisë Fier, ku banorët raportojnë se janë përmbytur tre herë brenda pak muajsh. Sipas tyre, lagështira e vazhdueshme i ka detyruar të largohen përkohësisht nga shtëpitë, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Goditje e fortë ka marrë edhe sektori i bujqësisë. Hektarë të tërë me kultura bujqësore janë nën ujë, ndërsa fermerët shprehen se, përveç humbjes së prodhimit aktual, do të duhet kohë e gjatë që parcelat të thahen dhe të bëhen sërish të kultivueshme.
Banorët e zonave të prekura shprehen të shqetësuar për përmbytjet e përsëritura, duke theksuar se dëmi ekonomik në banesa dhe toka bujqësore po i çon drejt vështirësive serioze financiare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






