Transmetuar më 21-02-2026, 15:21

Më shumë se tre vite pas vdekjes në aksident të Lucio Panziera-s, ngjarje e ndodhur në Montebelluna më 1 shtator 2022, gjykata është thirrur të përcaktojë përgjegjësitë e M.S., një shtetas shqiptar i akuzuar për incidentin. Fatale rezultoi përplasja mes makinës dhe skuterit të 52-vjeçarit, i cili po kthehej në shtëpi nga puna.

Mediat italiane që citon noa.al raportuan sot se ka nisur procesi gjyqësor ndaj emigrantit shqiptar M.S., 55 vjeç, i mbrojtur nga avokatët Fabio Capraro dhe Mauro Bonato.

Si ndodhi ngjarja

Një përplasje mes skuterit të tij dhe një Mercedesi nuk i la asnjë shans për të mbijetuar. Kështu humbi jetën Lucio Panziera, 52 vjeç, këshilltar bashkiak i Volpago del Montello, viktimë e një aksidenti rrugor të ndodhur rreth orës 18:00 të datës 1 shtator 2022 në Montebelluna.

Atë ditë Panziera po udhëtonte me motorin e tij kur u përplas me një Mercedes CLS të drejtuar nga 55-vjeçari, i cili po lëvizte në drejtim të qendrës së qytetit. Pas përplasjes me skuterin, makina vazhdoi lëvizjen duke humbur kontrollin deri sa përfundoi pranë një shtylle ndriçimi. 52-vjeçari u hodh mbi asfalt, mes karrexhatës dhe trotuarit. Në vendngjarje ndërhynë mjeku dhe infermierët e shërbimit emergjent 118, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të kota: plagët e marra nga përplasja dhe rënia ishin shumë të rënda. Drejtuesi i Mercedesit u ndihmua në vendngjarje, por nuk kishte dëmtime që kërkonin transport në spital.

Sipas ekspertizës së kryer për aksidentin tragjik, Panziera, i cili punonte si magazinier në një kompani të zonës dhe atë mbrëmje po kthehej në shtëpi ku e prisnin bashkëshortja Francesca dhe dy vajzat e tyre, ishte ndalur duke pritur që një makinë tjetër të kthente majtas. M.S. ndodhej menjëherë pas tij dhe e ka gjetur përpara pa mundur ta shmangë përplasjen.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit