Transmetuar më 21-02-2026, 14:00

Një 43-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Durrës në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 82”, të zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale.

Bëhet fjalë për shtetasin Rexhep Muka alias Kreshnik Muka, banues në Shënavlash, i cili u lokalizua, identifikua dhe u ndalua nga Forcat Operacionale në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

Sipas njoftimit zyrtar, 43-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Cagliari, Itali, në vitin 2021 e ka dënuar me 12 vite burg për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vite e 6 muaj burgim.

Operacioni është zhvilluar pas punës gjurmuese dhe informacioneve të siguruara nga strukturat përkatëse, në kuadër të kontrolleve dhe operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për realizimin e ekstradimit të të arrestuarit drejt Italisë, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit