Transmetuar më 21-02-2026, 13:42

LIBRAZHD – Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur bllokimin e plotë të aksit rrugor Librazhd–Prrenjas, për shkak të rrezikut të shembjes së një ure në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.

Sipas kreut të ARRSH-së, situata është përkeqësuar ndjeshëm gjatë 48 orëve të fundit, duke e bërë të pamundur vijimin e qarkullimit, edhe për mjetet e lehta. Ai sqaroi se struktura e urës ka pësuar zhvendosje të vazhdueshme, ndërsa betoni në pjesën e poshtme po degradohet.

“Prej javësh e kemi mbajtur në monitorim, por ditët e fundit ka pasur përkeqësim të dukshëm. Në orët e mëngjesit zhvendosja ishte 27 metra, aktualisht ka arritur në 29 metra. Poshtë urës betoni po thërrmohet, ndaj jemi të detyruar të bllokojmë totalisht trafikun”, u shpreh ai.

Autoritetet theksojnë se aktualisht nuk mund të jepet një afat i saktë për rihapjen e rrugës, pasi ndërhyrja do të nisë menjëherë dhe do të vlerësohet në terren shkalla e dëmtimit.

ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë segment rrugor, pasi ekziston rreziku i krijimit të radhëve të gjata dhe bllokimit të qarkullimit. Sipas të dhënave paraprake, shkaqet e dëmtimit lidhen me faktorë natyrorë, pasi zona konsiderohet ujëmbajtëse dhe me lëvizshmëri të lartë të tokës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit