

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar publikisht pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga Partia Demokratike ku u hodhën molotovë e gaz lotsjellës pranë ambienteve të xhamisë së Namazgjasë.
Në reagim Komuniteti Mysliman bën thirrje për maturi dhe vetëpërmbajtje ndërsa thekson se lëndimi i besimtarëve që ndodheshin në xhami për tu falur, është e pajustifikuar.
REAGIM ZYRTAR
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka ndjekur me vëmëndje ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë Xhamisë së Namazgjasë, në një kohë kur besimtarët po falnin namazin e Teravive.
Shprehim indinjatën tonë të thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve, të cilët ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet e tij publike. Megjithatë, kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve tanë.
Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.
U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër.
Disa prej besimtarëve ndërprenë dhe lutjen mbrëmjen e djeshme për shkak të kaosit të shkaktuar në xhami. Molotovë u hodhën fare pranë xhamisë, pasuar më pas nga gazi lotjsellës me qëllim shpërndarjen e protestuesve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






