

Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, pak orë pas protestës së 20 shkurtit, duke e cilësuar atë si “një ditë triumfi për kryengritësit paqësorë”.
Berisha falënderoi mbështetësit që, sipas tij, morën pjesë masivisht në tubimin e zhvilluar në Tiranë, duke e konsideruar atë si protestën më të fuqishme të viteve të fundit. Ai deklaroi se manifestimi pati jehonë të gjerë brenda dhe jashtë vendit, ndërsa theksoi se pjesëmarrja e të rinjve ishte tipari më domethënës i kësaj proteste.
Sipas kreut të opozitës, për rreth tre orë protestuesit u përballën me forcat e rendit në zona të ndryshme të kryeqytetit, përfshirë bulevardin kryesor dhe afërsinë e Parlamentit. Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për, siç u shpreh, “dhunë dhe terror policor”, duke pretenduar përdorimin e mjeteve të forta të shpërndarjes së turmës.
Berisha deklaroi gjithashtu se gjatë përplasjeve janë lënduar protestues, përfshirë të rinj dhe të mitur, dhe se disa prej tyre janë shoqëruar në komisariate. Ai hodhi poshtë pretendimet se pjesëmarrësit janë nxitur apo paguar për të dalë në protestë, duke i cilësuar këto si përpjekje për të frikësuar të rinjtë.
Nga ana tjetër, autoritetet kanë bërë me dije se gjatë protestës janë shoqëruar dhe proceduar disa persona për shkelje të ligjit, ndërsa hetimet për incidentet e raportuara vijojnë.
Protesta e 20 shkurtit u organizua nga opozita nën moton “Larg duart nga selia e PD”, në një klimë të tensionuar politike, ndërsa palët vijojnë shkëmbimin e akuzave lidhur me zhvillimet e fundit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






