

Kreu i PD-së, Sali Berisha pati një mesazh për protestuesit, pas daljes nga selia blu.
“Mirënjohjen më të pakufishme ju, qytetarëve, burrave dhe grave, të rinjve e të rejave që sot me 20 shkurt, përsëritët në një formë apo në një tjetër, 20 shkurtin e vitit 1991. Natyrisht, nëse shtatorja e satanit në piedestalin e saj në sheshin Skënderbej, busti i pasardhësit të tij, nuk ndodhej as në Shqipëri.
Por kjo nuk ju pengoi për të dëshmuar vendosmërinë më të madhe. Nuk ju pengoi për t’u përballur dhëmbë për dhëmbë me falanga krimi që përdorët mjetet më të paligjshme kundër kryengritësve paqësorë”, tha ai.
Më tej, u ndal te incidenti lidhur me demokraten Senada Mehmeti apo sipas tij, “goditja pas koke, bombat shurdhuese ndaj mbështetësve të PD-së”.
E quajti të paprecedentë “përshkallëzimin e Edi Ramës ndaj protestuesve paqësorë”.
“Hodhën bombula gazi në territorin e Partisë Demokratike. Është sulmuar selia e PD-së, si hakmarrje. I jap fjalën e nderit se në rast se guxon të sulmojë këtë seli, i them Edi Ramës, është mundim i madh për ne të përmbajmë qytetarët dhe sulmet e tyre ndaj selive të krimit. Janë të gatshëm në çdo moment për t’i bërë të paqena. Prandaj urrejtjen atërore që ke ndaj pluralizmit, mos e shpreh duke gjuajtur bomba tymi dhe bombula gazi në seli! Ne nuk të tolerojmë!”, ishte apeli i tij për kreun e qeverisë.
Berisha akuzoi forcat e rendit se kanë hedhur gaz lotsjellës në disa kate të xhamisë, kur brenda kishte besimtarë të shumtë.
"Kanë hedhur bomba tymuese dhe gazi në kate të ndryshme të xhamisë, kur besimtarët po faleshin. E mbushën Xhaminë me gaz lotsjellës. Zoti i vraftë. Për këtë krim të shëmtuar janë pasardhës të etërve të tyre barbarë", tha Berisha.
"U bëj thirrje besimtarëve myslimanë të dënojnë këtë akt të shëmuar. Protesta jonë paqësore nuk do të ndalet, por do bëjë gjithçka që të përjashtojë çdo veprim me kundërshtarin, vetëm e vetëm që ata të mos ju prishin Namazit”, shtoi kreu demokrat.
Ai paralajmëroi se do të ketë një tjetër protestë kombëtare që sipas tij “do të jetë më e madhja”.
Në fund ai falënderoi protestuesit duke i cilësuar si guximtarë që mposhtën “të keqen e madhe, regjimin e Edi Ramës”.
“U them para jush, o të mjerë, koha juaj ka marrë fund. Tani është koha e qytetarëve, guximit qytetar dhe përgjegjësisë së tyre. Unë e di se ju si luftëtarë të paepur prisni me padurim aktin e radhës të kryengritjes sonë paqësore. Do t’ua njoftojmë shumë shpejt, do të jetë kombëtar, do të jetë më i fuqishmi. Edhe një herë mirënjohje pa kufij për ju, përgëzime guximtarë që mposhtët në sheshet dhe rrugët e Tiranës të keqen e madhe, regjimin e Edi Ramës”, u shpreh ai.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






