

Durrës – Një burrë i cili kishte për të vuajtur 18 ditë dënim me burg ka vdekur në Durrës pasi gjendej i shoqëruar në komisariat dhe dërgimi në spital nuk solli asnjë mundësi shpëtimi.
Rreth orës 18:20, në Spitalin e Durrësit, ka ndërruar jetë shtetasi Mehdi Guzina 63 vjeç, banues në Shijak.
Ky shtetas ndodhej i shoqëruar në ambientet e sigurisë së Komisariatit të Policisë Durrës, pasi ishte dënuar me 18 ditë burgim dhe pritej të transferohej për vuajtjen e dënimit në IEVP Lushnjë.
Rreth orës 15:04, ai ka shfaqur shqetësime shëndetësore dhe është transportuar nga shërbimet e Policisë drejt Spitalit të Durrësit për ndihmë mjekësore, ku, pavarësisht asistencës së dhënë nga personeli mjekësor, ka ndërruar jetë në sallën e reanimacionit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave.
Zyrtarisht policia nuk thotë shkakun pse vdiq i ndjeri.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






