Transmetuar më 20-02-2026, 19:39

Berisha: Sot ne jemi uragani, jemi forca, jemi opozita e vërtetë! Do të shpëtojmë Shqipërinë. Vjedhja e qytetarëve do shpallet krim i rëndë!

TIRANË – Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës para Kryeministrisë, në Tiranë, hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe anëtarëve të qeverisë.

Berisha deklaroi se vendi ndodhet, sipas tij, në një situatë të rëndë ekonomike dhe institucionale, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si të korruptuar. Ai përmendi projektin e Portit të Durrësit dhe kontrata të tjera publike, për të cilat pretendoi se përfshijnë shuma të mëdha financiare dhe abuzime.

Në fjalën e tij, ai përmendi gjithashtu ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe projekte të lidhura me AKSHI-n dhe Bashkinë e Tiranës, duke pretenduar për shpërdorim fondesh publike. Pretendimet e ngritura nga Berisha nuk u shoqëruan me prova gjatë fjalimit.

Kreu i PD-së e cilësoi Ramën “armik të egër të Shqipërisë dhe shqiptarëve” dhe përdori krahasime me periudhën e regjimit komunist, duke iu referuar rrëzimit të bustit të Enver Hoxha në vitin 1991. “Do të mbetet në atë zyrë sa kohë ne nuk do ta tërheqim prej saj siç tërhoqëm atin e tij shpirtëror,” u shpreh Berisha.

Ai akuzoi qeverinë për nxitje të shpopullimit dhe për përdorim të fondeve publike për qëllime elektorale, ndërsa deklaroi se opozita synon ndryshim politik.

Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga Kryeministria lidhur me deklaratat e bëra gjatë protestës.

Protesta vijon me pjesëmarrjen e mbështetësve të opozitës, ndërsa forca të shumta policie janë vendosur në perimetrin e godinës së Kryeministrisë për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Fjala e plotë e Berishës:

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, opozitare dhe opozitarë, demokrate e demokratë kudo që jeni, në këtë shesh, në të katër anët e vendit dhe jashtë tij.

Të nderuar deputetë, drejtues të PD, drejtues të forcave politike aleate, përshëmdetjet më të përzemërta ju misionarëve të pamposhtur të Shqipërisë, ju që mblidheni sot në një nga ditët më të shënuara të historisë tonë kombëtare.

20 shkurti është dita në të cilën 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë të mbledhur në qytetin e studentëve, në mbështetje të grevës së studentëve liberatorë, grevës së urisë për të çliruar kombin dhe vendin nga kulti i satanit, nën thirrjen e artistes së mirënjohur, Rajmonda Bulku dhe të protestuesve të shumtë, nisën drejt sheshit Skënderbej, të rrethuar nga të katër anët me autoblinda, mitraloza, snajperë në një betejë, e cila shënon kulmin e guximit të qytetarëve shqiptarë.

Në një betejë paqësore që ka shndritur dhe do të shndrisë gjithmonë në historinë e revolucionit demokratik, në të cilin përmbysën shtatoren, përmbysën kultin e satanit, kultin e Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pasluftës.

Përmbysën regjimin i cili në 46 vite shtetëzoi, ekzekutoi, burgosi, persekutoi, varfëroi, mjeroi më shumë shqiptarët se çdo pushtues tjetër që ata kishin njohur në tërë historinë e tyre.

Nderim përjetë atyre guximtarëve që si luanë u vërsulën mbi shtatoren e diktatorit, e përmbysën atë dhe çliruan Shqipërinë nga diktatura komuniste 46-vjeçare.

Miq, 35 vite më parë, të gjithë ata që ishin në shesh, por mbarë qytetarët shqiptarë, kurrë nuk do mendonin se 35 vite më vonë do ndodheshin para një regjimi.

Sigurisht, jo të njëjtë në mënyrë identike, por fatkeqësisht shumë të ngjashëm në shumë e shumë aspekte.

Nuk mund të besonin se 35 vite më vonë, pushtet e vendit do ishin në duart e një krimineli të pashembullt në histori pas Enver Hoxhës.

Pushtetet e vendit do ishin në duart e një tradhtari që do nxijë gjithmonë në historinë kombëtare për aktet e tij të tradhtisë ndaj kombit dhe vendit.

Do ishin në duart e një njeriu që do plaçkiste Shqipërinë sa askush tjetër në historinë e tij.

35 vite më parë, ata qindra mijëra burra dhe gra që kaluan bllokimin, kaluan autoblindat, snajperët, mitrolozët, për votën e lirë, për dinjitetin njerëzor, nuk mund të besonin kurrë se 35 vite më vonë përsëri do u rikthehej farsa zgjedhore e atij që përmbysën.

E vërteta është se ne sot nderojmë këtë datë me ndjenjën e mirënjohjes më të thellë, por edhe me frymëzimin më të madh, me zotimin tonë para shqiptarëve se Edi Rama do t’i ketë kohërat e numëruara.

Të dashur miq, satani i shqiptarëve, Enver Hoxha, siç dihet, vdiq në vitin 1985, por e vërteta është se ai, diktatura e tij, vazhduan sundimin fuqiplotë gjer ditën që ne shembën shtatoren e tij, kultin makabër të Enver Hoxhës, që kishte pushtuar shpirtrat e shqiptarëve.

Njëlloj, sot Edi Rama është një kufomë politike, është një kalbësirë politike, i damkosur, i diskredituar, i tmerruar.

Por prapëseprapë, njëlloj si shtatorja e Enver Hoxhës, do mbetet në atë zyrë për sa kohë ne nuk do ta tërheqim prej saj siç tërhoqëm atin e tij shpirtëror 35 vite më parë.

Miq, diktatura hoxhiste ishte një diktaturë e pashembullt në Europë.

Ajo, përveç plojës së luftë së klasave, me të cilën ekzekutoi mijëra e mijëra shqiptarë për liri, dinjitet, për besimin tek Zoti, për besimin tek Shqipëria, internoi me dhjetëra mijëra të tjerë, persekutoi me qindra mijëra, përdori përveç kësaj tiraninë e mjerimit, izolimin më të thellë, indoktrimin më ekstrem.

Pra, ai regjim 46-vjeçar vendosej mbi disa shtylla që rëndonin çdo ditë mbi shqiptarët.

Sot, regjimi i Edi Ramës përsëri ngrihet mbi tre shtylla turpi, mbi tre shtylla, të cilat rrënojnë çdo ditë qenien tonë.

Në qoftë se Enver Hoxha me varfërinë, mjerimin, skamjen, urinë kronike, shtypjen dhe indoktrinimin, i shndërroi shqiptarët në një popull fantazim, Edi Rama me politikat e tij, me vjedhjet, farsën elektorale, mashtrimin, me krimin dhe ligjin mburojë, po e shndërron Shqipërinë në dheun e joshqiptarëve, po përzë shqiptarët nga Shqipëria, po shkreton kombin dhe vendin për të ndërtuar parajsën e tij dhe të hajdutëve të tij.

Miq, pra, ngjashmëritë janë tmerrësisht të hidhura.

E vërteta është se kurrë ky komb nuk është vjedhur siç vidhet sot nga Edi Rama dhe qeveritarët e tij.

Miliarda euro Porti i Durrësit, në të cilin ai ndërton Dubain e 1001 netëve të tij.

Qindra milionë euro me AKSHI-n e Lindave.

Qindra milionë euro me Erion Veliajn dhe inceneratorët.

Miliarda me Lubinë e tij në rrugë dhe punë që nuk janë kryer kurrë.

Dhe këto para, përveçse në parajsat e tyre, shndërrohen në një krim të tmerrshëm elektoral.

Shndërrohen në vota të blera.

Dhe votat e blera shndërrohen në vjedhje edhe më të mëdha.

Ndaj dhe shqiptarët marrin rrugët e dheut tashmë jo si një popull fantazmë, por si një popull që braktis dheun e tij të bekuar sepse pasuritë e këtij vendi janë shndërruar në pasuri të mallkuara për qytetarët e tij.

Edi Rama, ky armik i egër i qenies së shqiptarëve, njëlloj si babai i tij shpirtëror, ka vendosur mbi shqiptarët censurën, mashtrimin, mashtrimin dhe censurën.

Me mediat e tij të ushqyera si shushunjëza nga paratë e qytetarëve që vjedh në prokurime publike dhe pasuri publike, qytetarët dëgjojnë nga mënëgjhesi gjer në darkë mashtrime dhe vetëm mashtrime. Glorifikimin e të keqes, të krimit, të vjedhjes.

Demonizimin e opozitës, censurimin e opozitës.

Dhe përsëri në një rreth vicioz, mashtrimi kthehet në votë dhe vota në mashtrim.

Por ja ku jemi sot këtu më shumë se kurrë për t’u zotuar se ne do rikthejmë mediat e lira në Shipëri, do rikthejmë zgjedhjet e lira në Shqipëri dhe se Shqipëria do të jetë një vend normal, një vend i bekuar siç e ka bërë Zoti, vendi i njerëzve të lirë.

Miq, në qoftë se Enver Hoxha përdori kundër shqiptarëve policinë xhelate të Sigurimit të Shtetit, policinë politike, Edi Rama përdor falangat e krimit, përdor organizatat kriminale, përdor kartelet e drogës, përdor ergysët e administratës.

Për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve, për t’i vjedhur, plaçkitur ata, për t’i poshtëruar ata, për t’i vrarë, për t’i grabitur, përdor krimin për të qeverisur Shqipërinë.

Por ne jemi sot këtu për t’u zotuar se zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.

Dhe në qofte se në vitin 2005 ne rendëm pas Aldo Bareve dhe të tjerëve, Aldo Baret sot janë Edi Rama, Lubi Balluku, ministrat e tij, kurse kartelet e drogës, Elvis Doçi, Suel Çela janë thjesht ushtarët e tyre.

Ta dinë mirë se edhe prapa diellit po të shkojnë, ne do t’i gjejmë ata, ne do t’i ndëshkojmë ata me forcën e ligjit.

Miqtë e mi, Shqipëria e lirë, Shqipëria e qytetarëve të lirë do të shpallë vjedhjen e qytetarëve krim të rëndë.

Do ndëshkojë dy herë më shumë qeveritarët që arratisen.

Miq, drejtorë dhe të tjerë braktisin Shqipërinë me shpresën se do mund të shpëtojnë.

As ju, as Lubia, as Edi Rama, vrimë miu nuk do gjeni.

Miq, në vitin 1991, pak muaj pas themelimit dhe me të drejtë, të gjithë ata që na shikonin, shtronin pyetjen kur shihnin shtatoren e diktatorit, a janë në opozitë këta apo nuk janë në opozitë?

Por një ditë ne u faktuam shqiptarëve dhe botës se ishim opozitë, dhe ishim opozita më e guximshme e Europës.

Dhe ishim opozita që u përballëm në një betejë epike të pashembullt me diktatorin më gjakësor dhe e shembëm atë.

Sot, përsëri, sytë e Europës, sytë e mbarë botës, sytë e shqiptarëve, mendjet, zemrat e tyre janë të drejtuara tek ne, tek ne dhe vetëm tek ne.

Por në qoftë se 35 vite më parë me të drejtë pyesnin, a janë apo nuk janë në opozitë këta, sot pas betejave tona, pasi u ngritëm si Feniksi nga hiri, nuk pyet kush më jemi apo nuk jemi, jemi uragani, jemi forca, jemi opozita e vërteta.

Do shpëtojmë Shqipërinë."

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit