

TIRANË – Ka nisur protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike e Shqipërisë në sheshin para Kryeministrisë, në Tiranë, ku mbështetës të opozitës janë mbledhur për të shprehur qëndrimet e tyre kundër qeverisë.
Fjalën në tubim e mbajti deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila në nisje të fjalës së saj u shpreh se emocionohet sa herë flet para mbështetësve të partisë.
Në vijim, Tabaku iu referua ngjarjeve të 20 shkurtit 1991 dhe rrëzimit të monumentit të diktatorit, duke e cilësuar atë si një moment kthese në historinë e vendit. “Rrëzimi i monumentit të diktatorit ishte çasti i kthesës së madhe për ne”, deklaroi ajo, duke shtuar se, sipas saj, “diktatorët dhe autokratët bien” dhe se “liria triumfon”.
Gjatë fjalës së saj, deputetja akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndërtuar një sistem që, sipas saj, favorizon një pakicë të privilegjuar në dëm të qytetarëve. Ajo e cilësoi situatën aktuale si “diktaturë të korrupsionit” dhe tha se ekonomia, bujqësia dhe shtresa e mesme po përballen me vështirësi.
Tabaku deklaroi gjithashtu se, sipas saj, sistemi aktual ka dëmtuar meritokracinë dhe ka ndikuar në largimin e të rinjve nga vendi. Ajo bëri thirrje për bashkim brenda opozitës, duke theksuar se dallimet e brendshme nuk duhet të jenë më të mëdha se objektivat e përbashkëta.
“Autokratët bien, por Shqipëria është e përjetshme,” përfundoi deputetja në fjalën e saj.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






