Transmetuar më 20-02-2026, 18:21

Protesta e katërt kombëtare e opozitës po përgatitet të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë në Tirana. Tubimi ishte paralajmëruar më herët nga drejtuesit e opozitës si një mobilizim kundër qeverisë. Ndonëse protesta pritej në orën 18.00, deri në 18:45 minuta më pas ajo ende nuk kishte nisur.

Simbolika e Ramazanit

Me nisjen e muajit të Ramazanit, në podium u shfaq një person duke i rënë tupanit – një traditë e njohur që lidhet me zgjimin për syfyr apo me njoftimin e iftarit në disa zona. Ky element u interpretua si një simbolikë e lidhur me muajin e shenjtë për besimtarët myslimanë.

Mesazhet politike

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi protestën si pjesë të një “kryengritjeje paqësore” kundër qeverisë. Në deklaratat e tij, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për keqqeverisje dhe përdorim të ligjit në dëm të qytetarëve.

Sipas organizatorëve, skenari organizativ është i ngjashëm me protestat e mëparshme: ngritja e një podiumi me sloganin e njëjtë dhe fjalime nga përfaqësues të ndryshëm të opozitës, me fjalën përmbyllëse nga Berisha. Por mbetet të shohim nëse do të zbatohen skenarët që sugjerohen në media, një çadër e madhe para kryeministrisë dhe ngujim në grevë urie.

Masat e sigurisë

Në zonën përreth Kryeministrisë konstatohet prani e shtuar e forcave të policisë dhe masa të forta sigurie, përfshirë edhe efektivë të pozicionuar në lartësi, si pjesë e planit të rendit dhe sigurisë gjatë tubimit.

Më herët përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi, më datë 20.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.

Policia e Tiranës në një komunikatë tha se bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.

Pavarësisht kësaj, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

-Nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative si dhe të distancohen e të denoncojnë në rast se ndeshen me veprime të dhunshme apo me çdo paligjshmëri tjetër.

I pyetur mbi njoftimin e Policia e Shtetit se nuk merr përsipër garantimin e tubimit për shkak të rrezikut për akte dhune, Berisha e cilësoi këtë si provokacion dhe garantoi se opozita organizon vetëm protesta paqësore.

Ai akuzoi drejtues të policisë për inskenime dhe deklaroi se aktet e dhunshme nuk janë pjesë e platformës së PD-së, duke theksuar se protesta është paqësore dhe kjo është bindja jonë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit