Transmetuar më 20-02-2026, 13:40

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat ka reaguar ndaj njoftimit të Policia e Shtetit për mbarëvajtjen e protestës së opozitës, duke theksuar se tubimet janë paqësore dhe se opozita mbetet e përkushtuar ndaj protestës qytetare.

Berisha u shpreh se prioritet i strukturave të rendit duhet të jenë zyrtarët që, sipas tij, po largohen nga vendi për t’iu shmangur hetimeve dhe urdhër-arresteve të lidhura me korrupsionin. Ai përmendi konkretisht emrin e Ergys Agasit, duke e përfshirë në akuzat për largim nga drejtësia.

“Këta minj që po ikin do të kapen kudo që të jenë. Të vjedhësh 13 vite dhe, në momentin kur merr vesh që është lëshuar fletë-arresti, ia mbath dhe ikën…”, u shpreh Berisha, duke shtuar se në programin e tij parashikohet ashpërsim i masave ndaj korrupsionit dhe largimit nga drejtësia.

Ai theksoi se opozita është demokratike dhe nuk organizon akte dhune, duke i cilësuar si provokacione pretendimet për përfshirje të saj në incidente gjatë protestave. Sipas Berishës, protestat e opozitës janë dhe do të mbeten paqësore.

Ndërkohë, autoritetet nuk kanë reaguar ende ndaj deklaratave të kreut demokrat.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit