

Një 42-vjeçar nga qyteti i Skraparit dyshohet se i ka dhënë fund jetës, duke u vetëhedhur në lumë.
Ngjarja mendohet se ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në vendin e quajtur “Ura e Blezënkës”, në afërsi të Kanioneve të Osumit në Skrapar. Por asnjë gjurmë e të humburit nuk është gjetur deri tani.
Në vendngjarje, u gjetën një motorr me të cilin ai lëvizte, disa sende personale dhe celulari i tij.
Pas këqyrjes së celularit të 42-vjeçarit është gjetur edhe mesazhi i tij i fundit, të cilin ia kishte dêrguar të vëllait, duke i thënë se po hidhej në lumë.
Ilir Kurti punonte si roje në një hidrocentral në Skrapar. Ai kishte qënë i martuar me një shtetase rumune, me të cilën kishte bërë edhe një djalë, por 7 vite më parë ata ishin ndarë.
Ish-bashkëshortja e tij ishte larguar drejt shtetit rumun dhe që prej asaj dite Iliri nuk e kishte takuar më djalin dhe as kishte folur më me të.
Sipas familjarëve, ai ishte mbyllur prej muajsh në vetvete dhe po e vuante mjaft largimin nga djali.
Burimet policore bëjnë me dije se paraprakisht dyshohet se ky shtetas të jetë hedhur në lumë, ndaj po vijojnë kërkime për gjetjen e tij si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






