

Një 37-vjeçar është dënuar në Londër për përdhunim, pasi sipas autoriteteve joshte gra me premtime për punë dhe më pas i sulmonte në dhoma hoteli.
Sipas hetimeve, i dënuari përdorte një skemë të organizuar duke kontaktuar gra përmes aplikacioneve të komunikimit, përfshirë WhatsApp, dhe duke u ofruar mundësi të rreme punësimi.
Viktima e fundit u ftua në një hotel me pretendimin se do të kujdesej për një person të lënduar. Por, sipas dosjes hetimore, sapo ajo mbërriti në vendngjarje, situata mori një kthesë dramatike. Pasi refuzoi kërkesat e tij, ajo u dhunua dhe më pas u kërcënua që të mos fliste, me pretendimin se gjithçka ishte regjistruar.
Megjithatë, gruaja arriti të largohej dhe të denonconte rastin pranë policisë, çka çoi në arrestimin dhe më pas dënimin e 37-vjeçarit.
Autoritetet britanike bëjnë me dije se gjatë hetimeve është zbuluar se ai kishte rezervuar dhoma hoteli dhjetëra herë dhe kishte komunikuar me shumë gra të tjera duke përdorur të njëjtën metodë mashtruese. Dyshohet se numri i viktimave mund të jetë më i lartë.
Policia u ka bërë thirrje grave që mund të jenë prekur nga kjo skemë të paraqiten dhe të raportojnë rastet, duke garantuar mbështetje dhe konfidencialitet gjatë procesit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






