

Tunel i përshtatur për kultivim në oborr banese, 3 në pranga dhe 3 nën hetim në Shkodër
Shkodër – Një rast i pazakontë është zbuluar në Shkodër, ku në mes të qytetit është konstatuar ndërtimi i një tuneli të posaçëm për kultivim të bimëve narkotike në ambient të mbyllur.
Strukturat e Policisë finalizuan operacionin “Neonët 9”, duke zbuluar ambientin e përshtatur në lagjen “10 Korriku”, brenda oborrit të një banese të marrë me qira.
Ambienti siç shihni pamjet që ju sjell noa.al ishte i pajisur me sistem ndriçimi e ventilimi, të furnizuar me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan 555 fidanë dhe 115 bimë të dyshuara kanabis, si dhe 254 pajisje elektrike, mes tyre 126 llamba, 80 pajisje inventari, 31 panele LED dhe 17 filtra ajri që shërbenin për kultivim dhe tharje.
Në flagrancë u arrestuan A. P., 35 vjeç, banues në Shkodër, dhe K. H., 30 vjeç, banues në Degë, Tropojë, të kapur brenda ambientit. Po ashtu u vu në pranga D. S., 40 vjeç, banues në Shkodër.
Për shpërdorim detyre janë proceduar penalisht tre punonjës të OSHEE-së: D. P., 32 vjeç; M. H., 35 vjeç; dhe F. V., 23 vjeç, të dyshuar për bashkëpunim në lidhjet e paligjshme të energjisë.
Operacioni “Neonët 9” shënon rastin e 14-të të goditur në kuadër të planit për evidentimin dhe ndërprerjen e veprimtarive të paligjshme në ambiente të mbyllura. Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






