

Statistikat zyrtare sugjerojnë se në Serbi jetojnë 60 mijë shqiptarë ose pakica kombëtare e katërt në vend. Sipas regjistrimit të vitit 2022, në qytetin e Surdullicës në jug, jetojnë gjithsej gjashtë qytetarë me kombësi shqiptare. Mes tyre është dhe një familje shqiptare e cila e siguron jetesën duke prodhuar bukë për disa dyqane në jug të Serbisë.
Më 9 shkurt, një anëtar i kësaj familjeje, 20 vjeçari B.F., u përfshi në një aksident rrugor ku humbi jetën një qytetar Serbisë. I riu shqiptar kishte leje drejtimi të lëshuar nga Kosova. Prokuroria sekuestroi këtë patentë dhe njoftoi se po kryhen hetime “me qëllim që të përcaktohet shkaku i aksidentit, shpejtësia e lëvizjes së automjetit që drejtohej nga i dyshuari, si dhe nëse personit të ndjerë iu ofrua ndihmë mjekësore në kohë”.
Prokuroria në Vlladiçin Han, pranë Surdullicës, njoftoi dje se për aksidentin rrugor po zhvillohet hetim për vepër të rëndë kundër sigurisë së trafikut publik, për shkak të vdekjes së një personi.
E ndërsa hetimet janë në proces, në zonën e Surdullicës në jug të Serbisë, reagimet e vendasve janë të forta. Kordonë policie para furrave të bukës, protesta dhe gjuhë urrejtjeje, kjo është çfarë tregojnë pamjet nga Surdullica, qyteti me 10 mijë banorë.
Në rrugët e këtij qyteti një pjesë e qytetarëve ditët e fundit po protestojnë për shkak të vdekjes së bashkëqytetarit. Protesta ka ngjallur tensione etnike, pasi i dyshuari për aksidentin është i riu me kombësi shqiptare.
Edhe pse i dyshuari është arrestuar, në protesta janë parë pankarta që bënin thirrje për bojkotimin e furrave të bukës në pronësi të familjes së të dyshuarit, si dhe janë dëgjuar thirrje për dëbimin e gjithë familjes shqiptare.
Dje më 19 Shkurt sërish pati protestë. Goran Mlladenoviq, një nga pjesëmarrësit, tha për radion Evropa e Lirë (REL) se familja duhet të largohet nga ai vend sepse, siç u shpreh ai, ajo është “përgjegjëse për drejtimin e pamatur të veturës” nga i dyshuari.
Ai pretendon se protestat nuk janë të motivuara etnikisht. “Në këto kushte, me këtë sjellje arrogante dhe mënyrën si sillen, mendoj se duhet të largohen. Ai (shoferi) është vetëm 20 vjeç dhe ngiste makinën me një patentë shoferi të Kosovës”, tha Mlladenoviq.
Fushatës së përndjekjes dhe thirrjeve për dëbim u parapriu gjuha e urrejtjes në një grup lokal në aplikacionin për dërgimin e mesazheve, Viber, anëtar i të cilit është edhe ministri në Qeverinë e Serbisë, Novica Tonqev, ish-kryetar i komunës së Surdullicës.
Edhe pse thekson se i mbështet demonstruesit, Tonqev thotë se protestat nuk kanë “bazë etnike”.
Sulmet dhe thirrjet për linçim i dënoi ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Demo Berisha, duke theksuar se është “e papranueshme që tragjedia të keqpërdoret për përhapjen e urrejtjes, thirrje për dëbim dhe dënim kolektiv mbi bazë të përkatësisë kombëtare”.
Ende nuk është e qartë nëse Prokuroria po heton sulmet dhe nxitjen e urrejtjes kombëtare në Surdullicë.
Në njërën anë protesta, e në tjetrën mbështetje
Policia, para protestës së fundit më 19 shkurt në Surdullicë, qëndronte para furrave të bukës “Park” në pronësi të familjes së shoferit të dyshuar, por demonstruesit, ndryshe nga herët e mëparshme, kësaj radhe nuk u mblodhën para tyre. Dhjetëra persona qëndronin në qendër të qytetit me flamuj të Serbisë dhe pankarta me mesazhin “Drejtësi për Rastkon” (i vdekur në aksident).
Pavarësisht thirrjeve për bojkot dhe sulmeve, tri furrat në pronësi të familjes shqiptare vazhdojnë të punojnë.
Një punonjëse në një nga furrat “Park”, e cila kërkoi të mos i zbulohet identiteti, tha se nuk i mbështet protestat. Ajo shtoi se për punëdhënësin e saj mund të thotë “vetëm fjalët më të mira”.
Si nisi?
Protestat në Surdullicë u organizuan përmes rrjeteve sociale dhe aplikacionit për shkëmbim mesazhesh, Viber. Në rrjetet sociale dhe media u publikuan pjesë nga korrespondenca në grupin Viber “Drejtësi për Rastkon”, i cili thuhet se ka disa qindra anëtarë. Në këto komunikime, ndër të tjera, bëhet thirrje për bojkotimin e furrave, por edhe për dëbimin e familjes së të dyshuarit. Gjuha e urrejtjes përshkallëzoi në protesta, ku u sulmua edhe gazetarja Dejana Cvetkoviq, e cila po raportonte nga vendi i ngjarjes.
“Në protestë u sulmova verbalisht dhe u pengova gjatë punës, më drejtonin komente të ndryshme me konotacion seksual. Mendoj se (disa individë) ishin të pakënaqur me raportimin tim, sepse i vendosa protestat në kontekstin e mosdurimit ndëretnik”. Ajo shtoi se protesta e parë u organizua para furrës së familjes së të dyshuarit, kur të pranishmit hodhën vezë në drejtim të objektit. Cvetkoviq theksoi gjithashtu se në bisedë me pronarin e furrës ka mësuar se pas këtyre ngjarjeve ai ishte detyruar ta evakuonte familjen nga Surdullica, por se as kjo nuk kaloi pa incidente.
“Ai më tha se protestuesit sulmuan automjetin që po evakuonte familjen e tij”, tregoi ajo.
Policia nuk ka dhënë informacion nëse dhe sa persona janë ndaluar për sulmet ndaj furrës dhe familjes shqiptare.
Ministri “në krah të demonstruesve”
Një nga anëtarët e grupit Viber ku u shkëmbyen mesazhe urrejtjeje ishte edhe ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Novica Tonqev, i cili është gjithashtu ish-kryetar i komunës së Surdullicës.
Lidhur me thirrjet për dëbimin e familjes shqiptare, Tonqev u përgjigj se në Surdullicë po mbahen “protesta paqësore si formë e shprehjes së pakënaqësisë për sjelljen e pamatur të pjesëmarrësve në trafik”.
“Në këto tubime qytetare, shkaku nuk është aspak baza kombëtare, por vetëm adresimi ndaj institucioneve kompetente se gjëra të tilla dhe të ngjashme nuk duhet të ndodhin”, shkroi ai.
Dënimi i shënjestrimit
Megjithatë, disa organizata joqeveritare dhe institucione në Serbi i interpretojnë ndryshe ngjarjet në Surdullicë. Organizata “Iniciativat Qytetare” njoftoi më 17 shkurt se në atë vend po zhvillohet një fushatë “që përfshin targetimin kolektiv të qytetarëve mbi bazë të përkatësisë së tyre kombëtare”.
“Veçanërisht shqetësues është fakti se në kanalet e komunikimit ku u përhapën thirrjet për shpërngulje të përhershme dhe ndëshkim kolektiv kanë marrë pjesë edhe funksionarë publikë, përfshirë ministrin Novica Tonqev”, thuhet në reagim.
Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë, Millan Antonijeviq, dënoi kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes të drejtuar ndaj familjes me kombësi shqiptare.
Antonijeviq deklaroi se shprehja publike e mesazheve që bëjnë thirrje për linçim, dëbim ose frikësim përbën shkelje serioze të së drejtës për barazi dhe mund të çojë në rrezikimin e sigurisë së qytetarëve dhe në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike.
Së fundmi, për pozitën e pakicës shqiptare në Serbi ka paralajmëruar edhe Uashingtoni.
Anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan në janar kërkuan shqyrtimin e një sërë problemesh me të cilat përballen shqiptarët në jug të Serbisë, duke vlerësuar se ata janë të diskriminuar. Qeveria në Serbi i ka hedhur poshtë këto vlerësime.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






