Transmetuar më 20-02-2026, 08:14

Zbatimi i ligjit “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, i cili parashikon uljen e tatimit nga 15% në 5% për diferencën mes çmimit të shitjes dhe atij të blerjes së pronës, vijon të mbetet në pritje, pavarësisht se ka hyrë në fuqi më 22 janar 2026 pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Megjithëse interesimi nga pronarët e apartamenteve dhe agjencitë imobiliare është i lartë, procesi nuk ka nisur ende për shkak të mungesës së miratimit të akteve nënligjore dhe të çmimeve të reja të referencës.

Zbatimi i lidhur me çmimet e reja të referencës

Burime nga Ministria e Financave konfirmuan se ligji do të zbatohet paralelisht me miratimin e çmimeve të reja të referencës për shitblerjen e apartamenteve në rrethe, të cilat aktualisht ndodhen për shqyrtim në Këshilli i Ministrave.

Sipas këtyre burimeve, hartimi i ndryshimeve është përfunduar dhe dokumentacioni përkatës është dërguar për miratim. Edhe aktet nënligjore për ligjin e rivlerësimit janë përgatitur, por hyrja në zbatim pritet të nisë vetëm pasi të miratohen çmimet e reja të referencës, të cilat do të shërbejnë si bazë orientuese për zbatimin praktik të ligjit.

Më herët, ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të paketës fiskale 2026, theksoi se rivlerësimi i pasurive të paluajtshme dhe metodologjia e re për përcaktimin e çmimeve të referencës (përjashtuar Tiranën) janë konceptuar si reforma që do të ecin paralelisht. Qëllimi, sipas tij, është përafrimi i vlerave të pronave me tregun, duke u ofruar qytetarëve mundësinë të përfitojnë nga norma e reduktuar tatimore prej 5%.

Ndryshimet në hartën kadastrale dhe zonat rurale

Në korrik 2025, Ministria e Financave propozoi ndryshime në vendimin për çmimet e referencës, duke përfshirë ndarje të re të zonave kadastrale dhe, për herë të parë, përcaktim të veçantë çmimesh edhe për zonat rurale.

Projektvendimi i rishikuar parashikon një hartë të re me 176 zona kadastrale, ku përfshihen edhe fshatrat si njësi më vete. Për zonat rurale, përjashtuar ato turistike, janë propozuar çmime fiskale të barabarta me ato aktuale të rretheve.

Sipas tabelave të hartuara nga grupi i punës, çmimet më të larta të referencës për zonat rurale regjistrohen në vijën e parë të ndërtimit në Gjirin e Lalzit dhe Hamallaj, në 190 mijë lekë/m². Më pas renditen fshatrat e Himarës, si Dhërmiu dhe Palasa, me 140 mijë lekë/m²; Vuno me 100 mijë lekë/m² dhe Livadhi me 81 mijë lekë/m². Në Ksamil çmimi i referencës propozohet 100 mijë lekë/m², ndërsa në Radhimë dhe Orikum 90 mijë lekë/m². Në Velipojë parashikohet 75 mijë lekë/m² dhe në Tale të Lezhës 70 mijë lekë/m².

Ndryshimet e propozuara synojnë të unifikojnë praktikën e llogaritjes së taksave vendore. Aktualisht, në mungesë të çmimeve të referencës për zonat rurale, përdoret çmimi i qytetit i reduktuar me 35%. Me miratimin e hartës së re, bashkitë do të detyrohen të zbatojnë çmimet e miratuara nga qeveria, pa të drejtë reduktimi.

Ndikimi në tregun imobiliar

Ligji i rivlerësimit parashikon që, në rast shitjeje, tatimi mbi fitimin kapital të llogaritet me normë 5% nga 15% që aplikohet aktualisht.

Sipas Jonian Antonit nga Century 21 Albania, rivlerësimi është një proces i domosdoshëm periodik, që reflekton rritjen e tregut dhe u jep pronarëve mundësi të përditësojnë vlerën e pronës me kosto më të ulët fiskale.

Megjithatë, ai paralajmëron se ligji mund të krijojë shtrembërime të përkohshme në treg. Sipas tij, pronat e ndërtuara vite më parë priren të shtyjnë shitjen në pritje të hyrjes në fuqi të ligjit, duke krijuar fillimisht mungesë oferte dhe më pas një rritje të menjëhershme të saj, çka mund të ndikojë në balancën ofertë-kërkesë në periudha të caktuara.

Në pritje të miratimit të çmimeve të reja të referencës nga Këshilli i Ministrave, tregu mbetet në një fazë pezullimi, ndërsa pronarët dhe agjentët imobiliarë presin nisjen formale të zbatimit të ligjit për rivlerësimin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit