

Endra Nika është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 18 vjet burg për vrasjen e partneres së tij, një shtetase argjentinase, në Fushë-Kosovë më 2023. Aktgjykimi u shpall të enjten nga trupi gjykues, raporton Betimi për Drejtësi, medium i specializuar në çështje të drejtësisë.
Në seancë ishin të pranishëm i pandehuri me avokatin e tij dhe përfaqësues të palës së dëmtuar. Në maj të vitit 2025, Nika ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën për vrasje.
Reagimi i Rrjetit të Grave të Kosovës
Pas shqiptimit të aktgjykimit, Rrjeti i Grave të Kosovës reagoi duke thënë se dënimi prej 18 vjetësh “nuk është proporcional me peshën e krimit” dhe seriozitetin e rrethanave.
Sipas rrjetit, vrasja për motive gjinore përbën femicid, dhe dënime të tilla rrezikojnë të normalizojnë dhunën ndaj grave dhe të dërgojnë mesazh se jeta e grave vlen më pak. Organizata kërkon që gjykatat të njohin motivin gjinor dhe të aplikojnë standardet më të larta të ndëshkimit, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë reale, proporcionale dhe e pamëshirshme ndaj femicidit.
Rrjeti i Grave të Kosovës ofron gjithashtu këshillim dhe ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës me bazë gjinore.
Aktakuza ndaj Endra Nikës
Aktakuza u ngrit në shkurt të vitit 2025. Sipas Prokurorisë, më 1 gusht 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me viktimën M.K-U., Nika e kishte goditur atë dhe kishte tentuar ta shkelte me makinë në parking.
Më pas, në dhomën e hotelit, ai e kishte sulmuar viktimën përsëri, duke e shtyrë në qoshen e dhomës dhe më pas e nxori në kornizën e dritares, duke e hedhur nga kati i gjashtë i hotelit. Për shkak të rrëzimit, viktima nuk mbijetoi.
Sipas statistikave, në Kosovë që nga viti 2010 janë vrarë rreth 60 gra, dhe shpesh autorët janë bashkëshortët, baballarët ose djemtë e tyre. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut herë pas here kanë fajësuar autoritetet për mosmbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






