Transmetuar më 19-02-2026, 21:23

Endrit Nika dënohet me 18 vjet burg për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase

Endrit Nika, i akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase, Maria Clara Urdangaray, është dënuar me 18 vjet burgim.

Sipas aktgjykimit, Nika akuzohet se nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë e ka hedhur të dashurën e tij. Në dosje thuhet se ai ka nxjerrë kornizën e dritares dhe e ka shtyrë viktimën nga dritarja e dhomës së hotelit, duke bërë që ajo të pësojë lëndime të rënda trupore. Pavarësisht trajtimit mjekësor, ajo ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Në shpalljen e aktgjykimit ishin të pranishëm prokurori Armend Hamiti, avokati i të akuzuarit Drilon Imeri, familjarët e viktimës si dhe familjarët e të akuzuarit.

Më 28 maj 2025, Nika nuk i kishte pranuar akuzat e Prokurorisë lidhur me këtë vepër penale, duke deklaruar: “Jam 100% i pafajshëm”.

I akuzuari kishte paraqitur versionin e tij të ngjarjes edhe në seancat e 22 janarit 2026 dhe 3 shkurtit 2026.

Rasti është gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga Gazmend Bahtiri, kryetar i trupit gjykues, si dhe anëtarët Gzim Ademi dhe Alltëne Murseli.

Më 15 shkurt 2026, KALLXO.com publikoi një hulumtim lidhur me këtë rast, ku trajtohej edhe çështja e një shume prej 50 mijë eurosh të përmendur në dosjen e aktakuzës. Sipas publikimit, në pamje dhe audio-incizime flitej për negociata që synonin lirimin nga aktakuza të Endrit Nikës. Në hulumtim u prezantuan prova që pretendonin se një zyrtar i Policisë kishte qarkulluar paratë e familjes së të dyshuarit tek avokatët.

Sipas aktakuzës së 11 shkurtit 2025, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, në hotel “Sonoma” në Fushë Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij, M.K.U., fillimisht e ka goditur vazhdimisht dhe ka tentuar ta shkelë me veturë në parkingun jashtë hotelit. Më pas, pasi janë kthyer në dhomën e hotelit ku po qëndronin, ai dyshohet se ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj saj, duke e çuar në një qoshe të dhomës nga ku ajo nuk kishte mundësi të largohej. Sipas aktakuzës, nga goditjet dhe shtyrjet e bëra, Nika ka nxjerrë kornizën e dritares dhe e ka hedhur viktimën nga kati i gjashtë. Si pasojë, ajo ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor, ka ndërruar jetë në QKUK.

Për këto veprime, Prokuroria e akuzon Endrit Nikën për veprën penale të vrasjes së rëndë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit