

Sistemi i verifikimit të automatizuar të udhëtarëve pritet të zgjerohet në dy pika të rëndësishme kufitare detare në vend, pas zbatimit fillestar në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Bëhet fjalë për Portin e Durrësit dhe Portin e Sarandës, ku udhëtarët do të kalojnë kontrollin kufitar përmes sistemeve elektronike të automatizuara.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur një procedurë prokurimi me një fond rreth 1.4 milionë euro për projektimin, zhvillimin dhe implementimin e sistemit elektronik “Border Controller”, në funksion të institucioneve përgjegjëse për kontrollin kufitar.
Çfarë parashikon projekti
Sipas dokumentacionit zyrtar, sistemi do të ndërtohet mbi teknologji moderne dhe arkitekturë të sigurt, duke përdorur:
Pajisje inteligjente për leximin e dokumenteve;
Kapje të imazheve në kohë reale;
Validim biometrik për konfirmimin e identitetit.
Objektivi kryesor është rritja e sigurisë kufitare, lehtësimi i procedurave të kalimit dhe përmirësimi i efikasitetit operacional, duke garantuar integritetin, konfidencialitetin dhe disponueshmërinë e të dhënave personale, në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave.
Projekti parashikon gjithashtu mundësinë e zgjerimit në të ardhmen edhe në pika të tjera kufitare detare apo tokësore.
Modeli i aplikuar në Rinas
Në dokumente theksohet se kjo zgjidhje është implementuar tashmë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, si pika e parë kufitare në Shqipëri që aplikon procesin e kontrollit të udhëtarëve në mënyrë tërësisht elektronike, pa ndërhyrje njerëzore.
Pajisjet e-Gate funksionojnë përmes verifikimit biometrik automatik: sistemi lexon të dhënat e pasaportës elektronike dhe krahason fotografinë e ruajtur në çip me imazhin e marrë në kohë reale, për të konfirmuar identitetin e udhëtarit.
Procesi realizohet në mënyrë lokale (on-premise), pa lidhje me internetin dhe pa ruajtje të të dhënave pas përfundimit të verifikimit, duke synuar garantimin e një niveli të lartë sigurie dhe mbrojtjeje të privatësisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






