

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se “Bordi i Paqes” përbëhet nga liderë shumë të respektuar në nivel ndërkombëtar, duke theksuar se është i nderuar për pjesëmarrjen e disa krerëve shtetesh dhe qeverish.
Ai përmendi mes pjesëmarrësve kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin e Argjentinës, Javier Milei, si dhe kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán. Trump e cilësoi Milein si aleat dhe theksoi mbështetjen e tij gjatë zgjedhjeve.
“Ajo që po bëjmë është shumë e thjeshtë, paqja. Quhet Bordi i Paqes. Këta liderë më kanë ndihmuar shumë. I kemi dhënë fund tetë luftërave dhe mendoj se një e nëntë do të përfundojë së shpejti. Jemi liderë të mëdhenj dhe njerëzit po na shohin. Jam shumë krenar që ky është një takim i hapur. Po bëjmë një punë shumë të mirë”, u shpreh Trump.
Ai e cilësoi këtë strukturë si “bordin më të rëndësishëm dhe më prestigjioz ndonjëherë”, duke shtuar se edhe liderë të tjerë që nuk janë aktualisht pjesë e tij “do të bashkohen së shpejti”.
Në fjalën e tij, Trump u ndal edhe te situata në Gaza, duke e përshkruar atë si “shumë komplekse”, ndërsa theksoi se ka “ekipin më të mirë ndonjëherë” për të përballuar sfidat ndërkombëtare.
Në fund, ai falënderoi liderët e pranishëm, si dhe përmendi presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke shtuar se biletat për Kupën e Botës janë shitur plotësisht.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






