Transmetuar më 19-02-2026, 15:03

Fermerët do të përfitojnë nga falja e gjobave dhe kamatëvonesave për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të papaguara në kohë, në zbatim të ligjit “Për fshirjen e detyrimeve tatimore”, i cili ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), përfitues të kësaj mase janë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, duke krijuar një lehtësi financiare për këtë kategori.

Ligji parashikon që kontributet e sigurimeve shoqërore të të vetëpunësuarve në bujqësi për periudhën nga 1 tetori 1993 deri më 31 dhjetor 2024 mund të paguhen pa kamatëvonesa, sipas kushteve të përcaktuara.

Sipas vendimit në fuqi, fermerët duhet të paguajnë kontributin vjetor në masën 38,400 lekë për zonat fushore dhe 29,400 lekë për zonat malore. Kontributi bazë nuk përfshihet në falje dhe duhet të shlyhet i plotë.

Për periudhat tatimore deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet fshirja e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, me kusht që të paguhet detyrimi bazë.

Ndërkohë, për periudhën nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2024, gjobat dhe kamatëvonesat do të shuhen nëse paguhet 100 për qind e kontributit përkatës brenda datës 31 dhjetor 2026.

Sipas ISSH, kjo masë synon t’u japë mundësi fermerëve të rregullojnë detyrimet e prapambetura dhe të përfitojnë nga skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit