Transmetuar më 19-02-2026, 13:25

TIRANË, 19 shkurt 2026 – Sipas të dhënave nga strukturat ligjzbatuese, 44 shtetas shqiptarë rezultojnë ende në Siri, të ndarë mes burgjeve dhe kampeve të kontrolluara nga autoritetet kurde në verilindje të vendit.

Burime nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe strukturat e Antiterrorit raportojnë se nga 44 shtetasit:

10 burra ndodhen në burgje,

10 të tjerë në territor sirian,

24 janë gra dhe fëmijë, konkretisht 7 gra dhe 17 fëmijë, të strehuar kryesisht në kampe si Al-Hol.

Rasti i fundit i riatdhesimit është ai i Eva Dumanit, e cila u kthye së fundmi në Shqipëri. Autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë disa operacione riatdhesimi në vitet e fundit, duke sjellë në vend 39 gra dhe fëmijë që kishin shkuar në Siri pas bashkëshortëve të tyre, të përfshirë në organizata ekstremiste.

Bilanci i viktimave dhe hetimet

Sipas të dhënave zyrtare, lista e shqiptarëve të vrarë në konfliktin sirian përfshin:

30 burra të vrarë gjatë luftimeve,

3 persona të vrarë nga bombardimet,

15 gra dhe fëmijë, mes tyre 7 fëmijë dhe 8 gra.

Në Shqipëri, drejtësia ka dënuar nëntë persona për rekrutim dhe propagandë për qëllime terroriste. Gjithashtu, pas riatdhesimit nga Siria, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe gjykatat kompetente dënuan 9 gra shqiptare të akuzuara për pjesëmarrje në organizatë terroriste. Disa prej tyre janë dënuar me shërbim prove, ndërsa hetimet për persona të tjerë vijojnë.

Sfida e riatdhesimit

Çështja e riatdhesimit mbetet komplekse, për shkak të situatës së sigurisë në zonat ku ndodhen kampet dhe burgjet, si dhe për shkak të procedurave ligjore që duhet të ndiqen pas kthimit në Shqipëri.

Autoritetet shqiptare nuk kanë bërë të ditur një afat konkret për përfundimin e procesit të riatdhesimit të shtetasve të mbetur në Siri, ndërsa bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë vijon.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit