Transmetuar më 19-02-2026, 12:43

TIRANË, 19 shkurt 2026 – Një përplasje verbale është shënuar në sallën e Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), para nisjes së seancës për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”.

Sipas burimeve nga salla e gjyqit, i pandehuri Asllan Plaku ka shpërthyer në akuza ndaj prokurorit të çështjes, Behar Dibra, duke pretenduar se është arrestuar dhe mbahet në burg pa prova.

“Behar Dibra, më ke futur në burg pa prova. Jam i sëmurë dhe jam këtu nga hetimi yt i dobët, s’më ka futur në burg Nuredin Dumani, se ai nuk ka rrëfyer asgjë, por ti”, deklaroi Plaku në sallë.

Përplasja ndodhi përpara fillimit të seancës, ndërkohë që trupa gjykuese ndodhej ende në shqyrtimin e një çështjeje tjetër. Avokatët, prokurorët dhe të pandehurit po prisnin nisjen e procesit gjyqësor.

Në këtë dosje janë nën akuzë disa persona, mes tyre: Adria Uzuni, Agron Qoli, Altin Doci, Asllan Plaku, Besian Xhixha, Enver Diva, Erion Alibej, Fatos Gosa, Henrik Hoxhaj, Nuredin Dumani, Petrit Qoli, Skerdi Tasi dhe Xhuljan Hoxha.

Sipas dosjes hetimore, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj kanë bashkëpunuar me drejtësinë, duke dhënë dëshmi mbi veprimtari të dyshuara kriminale.

Ndërkohë, në zhvillimet e mëparshme që lidhen me këtë çështje, është raportuar edhe arratisja nga spitali i Durrësit e të burgosurit Altin Ndoci, i cili po merrte trajtim mjekësor në momentin e largimit.

Seanca pritet të nisë pas përfundimit të çështjes tjetër që po shqyrtohet nga trupa gjykuese.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit