

Operacioni “Audienca” në Tiranë, zbulohen mbi 10 mijë suplemente të skaduara dhe të kontrabanduara. Shpallet në kërkim shtetasi i huaj Jasmin Trebo (administratori). U proceduan penalisht shtetasit Jurgen Gurra dhe Masilino Çobo
Një magazinë në Tiranë, e përdorur nga një subjekt me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, ka qenë në qendër të një hetimi të thelluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Operacioni i koduar “Audienca” u finalizua pas përdorimit të metodave proaktive hetimore, që dokumentuan paligjshmëritë e kryera në ambientet e subjektit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në magazinë, specialistët gjetën dhe sekuestruan mbi 10 000 suplemente ushqimore dhe bimore të skaduara dhe të kontrabanduara. Produktet nuk kishin pullën e Agjencisë së Barnave, as atë të Ministrisë së Financave dhe ishin pa etiketa në gjuhën shqipe, duke ngritur dyshime serioze për rrezikshmërinë dhe ligjshmërinë e tyre në treg.
Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim administratori i subjektit Limitet Charm, shtetasi nga Bosnja dhe Hercegovina, Jasmin Trebo, 53 vjeç. Ndërkohë, u proceduan penalisht dy punonjës të gjetur në ambientet e magazinës, shtetasit Jurgen Gurra, 30 vjeç dhe Masilino Çobo, 26 vjeç.
Autoritetet po punojnë për kapjen e 53-vjeçarit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme lidhur me veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin e furnizimit dhe destinacionin e produkteve të sekuestruara.
Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Prokuroria, operacioni i koduar “Audienca”
Zbulohet se në një magazinë në Tiranë, mbaheshin për llogari të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, suplemente të skaduara dhe të kontrabanduara.
Sekuestrohen mbi 10 000 suplemente ushqimore dhe bimore.
Shpallet në kërkim administratori i subjektit (shtetas nga Bosnja dhe Hercegovina), si dhe procedohen penalisht 2 punonjës.
Pas një hetimi me metoda proaktive, kryer në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të dokumentuar paligjshmëritë që kryheshin në magazinën në kryeqytet, të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, u finalizua operacioni i koduar “Audienca”.
Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e subjektit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare gjetën dhe sekuestruan aty, mbi 10 000 suplemente ushqimore dhe bimore të skaduara, pa pullën e Agjencisë së Barnave dhe pa atë të Ministrisë se Financave, si dhe pa etiketa në gjuhën shqipe.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim administratori i subjektit, shtetasi nga Bosnja dhe Hercegovina, J. T., 53 vjeç, si dhe u proceduan penalisht punonjësit që ishin në ambientet e subjektit, shtetasit J. G., 30 vjeç dhe M. Ç., 26 vjeç.
Punohet për kapjen e 53-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






