Transmetuar më 19-02-2026, 11:03

Agjencia prestigjioze ndërkombëtare Reuters i ka kushtuar një analizë të gjerë situatës politike në Shqipëri, duke u ndalur te akuzat për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ndikimi që kjo çështje mund të ketë në procesin e integrimit europian të vendit.

Sipas raportimit, tensionet politike janë përshkallëzuar pas protestave të zhvilluara në qendër të Tiranës, ku demonstruesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, duke e akuzuar për korrupsion.

Akuza nga SPAK dhe përplasja institucionale

Kriza u thellua pasi SPAK (Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) ngriti në muajin dhjetor akuza ndaj Ballukut, me dyshimin për ndërhyrje në dhënien e dy tenderave në vitin 2021, me një vlerë totale mbi 200 milionë euro.

Sipas dosjes së cituar nga Reuters, akuzat lidhen me ndërtimin e një tuneli dhe një segmenti të unazës së Tiranës. Pretendohet se, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës, Balluku ka favorizuar kompani të caktuara gjatë procesit të tenderimit. SPAK e akuzon atë për “paracaktim të fituesit” dhe krijim “avantazhesh dhe privilegjesh të padrejta”.

Balluku i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si “gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”, ndërsa ka marrë mbështetjen publike të kryeministrit Rama. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur pezullimin e saj nga detyra në nëntor.

Integrimi europian në fokus

Sipas analizës së Reuters, çështja rrezikon të komplikojë objektivin e shpallur nga Rama për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

Eksperti i Ballkanit në King’s College London, Andi Hoxhaj, citohet të ketë deklaruar se respektimi i sundimit të ligjit është parakusht për anëtarësim në BE.

Ndërkohë, zyra e Bashkimit Europian në Tiranë, në një reagim për Reuters, theksoi se retorika që cenon besimin publik në pavarësinë e gjyqësorit është kundërproduktive dhe se lufta efektive kundër korrupsionit mbetet thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Përplasja Rama–SPAK

Marrëdhëniet mes qeverisë dhe SPAK janë tensionuar ndjeshëm. Prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit të Ballukut, ndërsa Rama ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke akuzuar institucionin për tejkalim kompetencash.

Kryeministri ka deklaruar se ka refuzuar tre herë dorëheqjen e ofruar nga Balluku dhe ka paralajmëruar nisma ligjore për të ndryshuar kuadrin ekzistues, me qëllim mbrojtjen e ministrave nga pezullimi gjatë kohës që janë nën hetim penal. Opozita e ka kundërshtuar ashpër këtë qëndrim, duke e cilësuar si përpjekje për të mbrojtur zyrtarët e lartë nga drejtësia.

Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat me BE-në në vitin 2022 dhe në nëntor të vitit të kaluar çeli raundin e fundit të kapitujve, duke u konsideruar si një nga vendet kryesore të rajonit në procesin e zgjerimit.

Megjithatë, siç nënvizon analiza e Reuters, zhvillimet e fundit rrezikojnë të testojnë seriozisht përkushtimin e vendit ndaj reformave në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit – dy shtylla kyçe të procesit të integrimit europian.

Shkrimi i Reuters

Ndërsa protestuesit hidhnin bomba molotov drejt godinës së qeverisë së Shqipërisë në qendër të Tiranës javën e kaluar, dhe policia iu përgjigjej me gaz lotsjellës dhe ujë, një brohoritje dëgjohej: "Rama ik! Kjo qeveri e korruptuar duhet të japë dorëheqjen!"

Tensionet janë rritur që kur Prokuroria e Posaçme, e njohur si SPAK, ngriti në muajin dhjetor një akuzë ndaj zëvendëseskryeministres, Belinda Balluku, me dyshimin për ndërhyrje në dhënien e dy tenderave në vitin 2021 me vlerë më shumë se 200 milionë euro.

Balluku, një figurë në ngritje, të cilën Rama duket se e sheh si pasardhëse të mundshme, mohon shkeljet, teksa ka marrë mbështetjen publike të Kryeministrit.

Akuzat për korrupsion kërcënojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së

Protestat e vazhdueshme dhe fakti që kriza përfshin një nga aleatët e tij më të ngushtë paraqesin një sfidë të konsiderueshme për Ramën, i cili ka qeverisur vendin ballkanik që nga viti 2013, fitoi lehtësisht zgjedhjet vitin e kaluar për herë të katërt dhe ka një marrëdhënie të mirë me liderët nga Brukseli në Uashington.

Kjo gjithashtu mund ta ndërlikojë planin e tij për t’u bashkuar me BE-në deri në vitin 2030.

"Shqipëria duhet të kuptojë se për t’u bërë anëtare e BE-së, respektimi i sundimit të ligjit është një parakusht", tha Andi Hoxhaj, ekspert i Ballkanit në King’s College London. 

Teksa u pyet nga Reuters, zëdhënësja e Ramës tha: "Shqipëria meriton të bashkohet (me BE-në) për shumë arsye dhe luftimi i korrupsionit pa dyshim është një prej tyre", tha Manjola Hasa.

Shqipëria ka qenë e izoluar nga bota për gati 50 vjet nën një regjim komunist që ra në fillim të viteve 1990. Ashtu si në shumë pjesë të Evropës Lindore, fundi i komunizmit shkaktoi një periudhë të gjatë korrupsioni.

Megjithatë, reformat gjyqësore në vitin 2016, formimi i SPAK në vitin 2019 dhe rritja e fortë ekonomike e përforcuan argumentin e saj për anëtarësim në BE.

Bisedimet me BE-në filluan në vitin 2022 dhe më 17 nëntor të vitit të kaluar, Shqipëria hapi raundin e fundit të kapitujve si një nga vendet kryesore ballkanik në projektin e BE-së për zgjerim.

Tre ditë më vonë, një njoftim për shtyp i SPAK njoftoi padinë ndaj Ballukut.

Tuneli dhe Unaza

Akuzat përqendrohen në dy tendera të vitit 2021, një për ndërtimin e një tuneli dhe një tjetër për një segment të unazës së Tiranës. Balluku, si ministre e infrastrukturës, akuzohet se ka drejtuar tenderët për të favorizuar kompani specifike.

Akuza, e parë nga Reuters, përmban edhe disa mesazhe midis Ballukut dhe kolegëve, përfshirë drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili gjithashtu është nën akuzë.

Në një mesazh më 10 shtator 2021, ajo duket se i kërkon drejtoreshës së saj të takohet me një zyrtar në NOVA Construction 2012.

Katër ditë pas takimit, NOVA me dy kompani të tjera formuan një konsorcium, i cili më pas fitoi kontratën e unazës.

SPAK tha se Balluku kishte "paracaktuar fituesin" dhe "krijoi avantazhe dhe privilegje të padrejta".

Reuters nuk ka arritur të përcaktojë nëse drejtoresha u takua me NOVA-n. Kompania nuk iu përgjigj kërkesës për koment, dhe as avokati i Ballukut.

Balluku, e cila u pezullua nga Gjykata antikorrupsion në nëntor, tha atëherë se nuk do të komentonte çështjen, apo mbi ato që i cilësoi si “gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”

Rama akuza ndaj prokurorëve

Ndërkohë, marrëdhëniet e SPAK me Ramën nuk kanë qenë ndonjëherë kaq të tendosura.

SPAK ka kërkuar që imuniteti i Ballukut të hiqet, por Rama e kundërshton këtë dhe akuzon SPAK-un për tejkalim të kompetencave. Të hënën ai u tha ligjvënësve se kishte refuzuar tre herë kërkesën e Ballukut për të dhënë dorëheqjen.

"Nuk mund të ndodh dorëheqja nën presionin e një pushteti që ka dalë jashtë territorit të tij", tha ai. 

Po atë ditë, Rama njoftoi se planifikonte të ndryshonte ligjin për të mbrojtur ministrat nga pezullimi ndërsa janë nën hetim penal, një veprim që opozita tha se kishte për qëllim të mbronte atë dhe aleatët e tij.

BE po vëzhgon.

"Retorika që mbjell mosbesim publik në gjyqësor dhe në pavarësinë, paanshmërinë dhe integritetin e sistemeve gjyqësore dhe prokurorive është kundërproduktive", tha zyra e BE-së në Tiranë në një deklaratë për Reuters.

"Lufta efektive ndaj korrupsionit është me rëndësi të madhe për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE."

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit