Transmetuar më 19-02-2026, 09:24

Komiteti për Punët e Jashtme i Parlamenti Evropian ka publikuar draft-raportin për Shqipërinë në kuadër të vlerësimit të progresit për vitin 2025. Dokumenti është hartuar nga raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, dhe paraqet një analizë të detajuar të ecurisë së vendit në procesin e integrimit europian.

Raporti vlerëson angazhimin e Shqipërisë ndaj procesit të integrimit në Bashkimin Europian, duke theksuar hapjen e të gjitha grup-kapitujve të negociatave brenda një periudhe 13-mujore. Gjithashtu, përshëndetet ambicia për përmbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.

Megjithatë, dokumenti nënvizon se progresi formal duhet të shoqërohet me zbatim efektiv dhe të qëndrueshëm të legjislacionit dhe reformave të miratuara.

Reforma zgjedhore dhe klima politike

Sa i përket zgjedhjeve, raporti vlerëson se kuadri ligjor është përgjithësisht i përshtatshëm për zhvillimin e proceseve konkurruese. Megjithatë, evidentohen shqetësime që lidhen me pabarazinë në garë, përdorimin e burimeve administrative, pretendimet për blerje vote dhe presion ndaj votuesve.

Në këtë kuadër, u bëhet thirrje mazhorancës dhe opozitës që të ndërmarrin një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të zbatojnë plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias përpara proceseve të ardhshme zgjedhore.

Draft-raporti shpreh gjithashtu shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin përplasës, të cilat, sipas dokumentit, ndikojnë negativisht në kontrollin parlamentar, besimin publik dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike.

Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit

Në fushën e drejtësisë, raporti përshëndet vijimin e reformës në drejtësi dhe procesin e vetingut, por thekson se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz. Shqipëria inkurajohet të konsolidojë rezultate konkrete në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta.

Po ashtu, theksohet rëndësia e adresimit të korrupsionit në të gjitha nivelet, me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve dhe krijimin e një mjedisi biznesi më të parashikueshëm.

Raporti nënvizon domosdoshmërinë e forcimit të luftës kundër krimit të organizuar, përfshirë pastrimin e parave dhe trafikun e drogës, si dhe kërkon bashkëpunim më të ngushtë me agjencitë europiane si Europol dhe Eurojust. Të drejtat themelore dhe administrata publike

Në aspektin e të drejtave themelore, raporti thekson nevojën për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik, transparencë mbi pronësinë e mediave si dhe hetim efektiv të rasteve të kërcënimeve ndaj gazetarëve. Kërkohen gjithashtu masa më të forta për mbrojtjen e grupeve vulnerabël dhe zbatim më i plotë i legjislacionit kundër diskriminimit.

Sa i përket administratës publike, dokumenti njeh progresin në planifikimin strategjik, por kërkon përpjekje të mëtejshme për garantimin e rekrutimit mbi bazë merite dhe depolitizimin e shërbimit civil.

Sfidat ekonomike dhe mjedisore

Në planin socio-ekonomik, draft-raporti përshëndet angazhimin e Shqipërisë në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, por evidenton dobësi strukturore si informaliteti dhe produktiviteti i ulët.

Ndërkohë, theksohet me shqetësim mungesa e progresit gjatë vitit të fundit në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.

Në përfundim, raporti rithekson se procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian mbetet një investim strategjik për paqen dhe stabilitetin në Europë, ndërsa përparimi i mëtejshëm i Shqipërisë do të varet nga zbatimi i plotë dhe i qëndrueshëm i reformave, forcimi i institucioneve demokratike dhe konsolidimi i sundimit të ligjit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit