Transmetuar më 19-02-2026, 00:18

Përvojat që ia vlen t’i përjetosh në atdheun e salmonit të bollshëm, Sirenës së Vogël dhe standardit shumë të lartë të jetesës.

5 gjëra që ia vlen patjetër të shihni

Statuja e Sirenës së Vogël

Simbol i kryeqytetit danez dhe një nga monumentet më të njohura në botë, Statuja e Sirenës së Vogël është për Kopenhagën ajo që është Krishti në Rio apo Statuja e Lirisë në Nju Jork për qytetet e tyre.

Është e mundur që ta gjeni të vandalizuar, të lyer me bojë apo edhe të “veshur” me aksesorë të çuditshëm. Megjithatë, asgjë nuk ia zbeh hijeshinë melankolike këtij monumenti prej bronzi në zonën Langelinie, i frymëzuar nga përralla e famshme e Hans Christian Andersen. Skulptura u krijua nga Edvard Eriksen në fillim të shekullit XX dhe paraqet sirenën që ka dalë në tokë, e shndërruar në vajzë, duke pritur princin e saj. Ndryshe nga versioni i Disney, historia origjinale nuk ka fund të lumtur – dhe kjo reflektohet në shprehjen e trishtë të figurës.

Nyhavn

Nyhavn do të thotë “Porti i Ri”. Është një nga zonat më ikonike të Kopenhagës, me ndërtesa të larta shumëngjyrëshe përgjatë një kanali të shekullit XVII, ku dikur ndërtoheshin anijet prej druri të mbretërisë daneze.

Sot, shtëpitë historike janë kthyer në restorante, bare dhe kafene që nxjerrin tavolinat buzë ujit. Gjatë verës është e vështirë të gjesh vend të lirë, pasi zona mbushet me vendas dhe turistë. Nyhavn ka edhe histori letrare: Hans Christian Andersen jetoi në disa prej këtyre shtëpive dhe aty shkroi disa nga veprat e tij. Zona ka shërbyer gjithashtu si sfond për filma të njohur ndërkombëtarë.

Pallati Christiansborg

I vendosur në ishullin Slotsholmen, Christiansborg është selia e Parlamentit danez, Zyrës së Kryeministrit dhe Gjykatës së Lartë. Familja mbretërore përdor sallonet e tij për ceremoni zyrtare.

Në të njëjtin vend kanë ekzistuar disa kështjella të mëparshme, që nga koha e mesjetës. Versioni aktual u përfundua në vitin 1928 dhe është një nga monumentet më të rëndësishme të vendit. Pallati ka kaluar disa rindërtime gjatë historisë, duke ruajtur statusin e tij si qendër politike dhe simbol kombëtar.

Tivoli Gardens

Një nga parqet argëtuese më të famshme në botë, Tivoli është arsyeja pse shumë turistë vizitojnë Kopenhagën. Për familjet me fëmijë është një destinacion ideal, por edhe për të rriturit ofron përvojë unike.

Parku kombinon lojërat klasike me arkitekturë që rikrijon atmosferën e Lindjes së Largët të shekullit XIX. Atraksione si Star Flyer (një karusel që ngrihet 80 metra lartësi), roller coaster-i klasik apo Liqeni me varka japin emocione për të gjitha moshat.

Nationalmuseet

Muzeu Kombëtar i Danimarkës është institucioni më i madh muzeal në vend dhe mbulon 14.000 vjet histori. Ndodhet pranë rrugës kryesore Strøget në qendër të qytetit.

Brenda do të gjeni artefakte nga epoka e akullnajave, periudha e vikingëve, Groenlanda (që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës), si dhe koleksione nga Mesopotamia, Egjipti dhe Persia. Është vend ideal për të kuptuar rrënjët historike të vendit.

3 restorante që ia vlejnë

Noma

Kopenhaga konsiderohet një nga kryeqytetet gastronomike të botës. Noma ka qenë disa herë restoranti më i mirë në botë dhe ka ndikuar në mënyrën moderne të gatimit global. Menuja ndryshon sipas sezonit dhe përqendrohet në produkte lokale nordike.

Geranium

I vendosur në katin e 8-të të stadiumit Parken, Geranium mban tre yje Michelin. Shefi Rasmus Kofoed ofron një përvojë kulinare të rafinuar, me estetikë minimaliste dhe qasje kreative në pjatat moderne.

Alchemist

Një përvojë gastronomike e veçantë, me rreth 50 pjata të vogla të servirura gjatë disa orëve. Restoranti funksionon si një udhëtim artistik me “akte” të ndryshme, të frymëzuara nga emocione dhe tema filozofike. Rezervimi kërkohet shumë herët, pasi është ndër vendet më të kërkuara në qytet.

Kopenhagen/Foto: Shutterstock

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit