

TIRANË, 18 Shkurt 2026 – Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamenti Europian, David McAllister, ka komentuar vendimin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një iniciativë e nisur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Gjatë një konference për mediat nga Tirana, McAllister u shpreh se është në dijeni të këtij vendimi, por theksoi se nuk mund të flasë në emër të 27 vendeve anëtare të Bashkimi Evropian, ndonëse disa prej tyre pritet të marrin pjesë në këtë nismë.
“Jemi në dijeni për vendimin e Shqipërisë për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Nuk mund të flas në emër të 27 vendeve anëtare, por edhe disa shtete aty që do të marrin pjesë. Disa vende nuk e kanë ndarë mendjen. Shumica janë të vendosura të marrin pjesë,” u shpreh ai.
“Vendim me mbështetje të gjerë politike”
Zyrtari i PE-së bëri të ditur se gjatë vizitës në Tiranë ka kërkuar sqarime nga autoritetet shqiptare lidhur me arsyet e këtij vendimi.
“I pyetëm kolegët tanë se përse është marrë ky vendim, dhe kuptuam se është vendim i mbështetur si nga shumica dhe opozita,” tha McAllister.
Ai shtoi se edhe brenda delegacionit të Parlamentit Europian me nëntë anëtarë ka qëndrime të ndryshme për këtë çështje.
“Edhe nga delegacioni ynë me 9 anëtarë ka mendime të ndryshme. Ka ata që janë pro dhe ata që janë kundër. Në fund të fundit kjo është demokracia,” përfundoi ai.
Vendimi i Shqipërisë për t’u përfshirë në Bordin e Paqes ka nxitur debat në nivel europian, ndërsa disa vende anëtare ende nuk e kanë përcaktuar qëndrimin e tyre për pjesëmarrje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






