Transmetuar më 18-02-2026, 14:23

TIRANË, 18 Shkurt 2026 – Kreu i Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë mesazhin e urimit me rastin e nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit, duke iu drejtuar besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë.

Në mesazhin e tij, Spahiu e cilëson Ramazanin si një periudhë reflektimi shpirtëror, solidariteti dhe përkushtimi ndaj vlerave të besimit, duke uruar që ky muaj i bekuar të sjellë paqe, mëshirë dhe begati në çdo familje.

“Ramazani, kohë reflektimi dhe orientimi”

Ai thekson se agjërimi është një akt adhurimi që forcon disiplinën, vetëkontrollin dhe ndjeshmërinë ndaj të tjerëve, ndërsa bën thirrje për më shumë unitet, mirëkuptim dhe mbështetje për shtresat në nevojë gjatë kësaj periudhe të shenjtë.

Në mesazhin e tij, Spahiu citon ajetin 185 të sures El-Bekare:

“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin u shpall Kurani, si udhëzim për njerëzit dhe si sqarim i qartë i udhëzimit dhe dallimit.”

Sipas tij, ky ajet rikujton se Ramazani është kohë për t’u kthyer te vlerat themelore të besimit, drejtësisë dhe përgjegjësisë morale.

Mesazh shprese dhe solidariteti

Kreu i KMSH solli në vëmendje edhe një hadith të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet qofshin mbi të):

“Kur vjen Ramazani, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe djajtë lidhen.” (Buhariu dhe Muslimi)

Ai e cilësoi këtë si një mesazh shprese dhe optimizmi për çdo besimtar, duke theksuar se Ramazani është një mundësi për përmirësim individual dhe kolektiv, si dhe për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në vlera të shëndosha.

Në përmbyllje të mesazhit të tij, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Spahiu uroi që ky muaj i bekuar të jetë burim paqeje, shprese dhe force shpirtërore për të gjithë, duke lutur që Zoti të pranojë agjërimin, lutjet dhe veprat e mira të besimtarëve.

Postimi i plotë:

Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit!

Përcjell urimet e mia më të përzemërta për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë dhe punojnë, duke ju dëshiruar një muaj të bekuar plot paqe, mëshirë dhe begati në familje e në shoqëri!

Të nderuar besimtarë, motra dhe vëllezër myslimanë,

Nesër, ne nisim agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, kam kënaqësinë t’ju drejtohem me urimet më të përzemërta, duke lutur Zotin e Madhëruar që ky muaj i bekuar të sjellë paqe, begati dhe mirësi për secilin prej jush, për familjet tuaja dhe për mbarë shoqërinë tonë.

Ramazani është një nga dhuntitë më të mëdha shpirtërore që Allahu i Madhëruar ia ka dhënë njerëzimit. Ai është muaj i agjërimit, i Kuranit, i mëshirës dhe i faljes. Në Librin e Tij të Shenjtë, Allahu thotë: “Muaji i Ramazanit është ai në të cilin u shpall Kurani, si udhëzim për njerëzit dhe si sqarim i qartë i udhëzimit dhe dallimit.” (El-Bekare, 185)

Ky ajet na kujton se Ramazani është kohë reflektimi dhe orientimi, kohë për t’u kthyer te vlerat themelore të besimit, drejtësisë dhe përgjegjësisë morale.

Agjërimi është një akt adhurimi që na mëson disiplinën, vetëkontrollin dhe ndjeshmërinë ndaj tjetrit.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, ka thënë: “Kur vjen Ramazani, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe djajtë lidhen.” (Buhariu dhe Muslimi)

Ky hadith është një mesazh shprese dhe optimizmi për çdo besimtar. Ramazani është mundësi për përmirësim individual dhe kolektiv, për pastrim shpirtëror dhe për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në vlera të shëndosha. Në këtë muaj të shenjtë, rëndësi të veçantë ka edhe dimensioni social i besimit. Ramazani na fton të forcojmë solidaritetin, të shtojmë ndihmën ndaj nevojtarëve, të jemi pranë të dobtëve dhe të kontribuojmë për një shoqëri më të drejtë dhe më humane.

Në një kohë kur shoqëria përballet me sfida të ndryshme, Ramazani na kujton rëndësinë e unitetit, të paqes dhe të bashkëjetesës. Ai na mëson se besimi i vërtetë reflektohet në sjellje të mirë, në respekt ndaj tjetrit dhe në përkushtim për të mirën e përbashkët.

Në emërin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ju uroj që ky muaj i bekuar të jetë burim paqeje, shprese dhe force shpirtërore për të gjithë.

Allahu e pranoftë agjërimin, lutjet dhe veprat tuaja të mira!

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit