Transmetuar më 18-02-2026, 14:13

VELIPOJË, 18 Shkurt 2026 – Banorët e zonës Baks-Rrjoll në Velipojë kanë hyrë në ditën e 16-të të protestës kundër ndërtimit të një resorti turistik në tokat që pretendojnë se janë pronë e tyre e trashëguar brez pas brezi.

Paraditen e kësaj të mërkure, Policia e Shkodrës shoqëroi 6 banorë, mes tyre edhe një grua, pasi ata bllokuan rrugën për punonjësit e firmës ndërtuese që po vijon punimet në zonë. Protestat janë shoqëruar me përplasje dhe incidente, ndërsa rreth 60 familje kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të projektit.

Banorët paralajmërojnë se, nëse Gjykata e Apelit Administrativ nuk vendos pezullimin e punimeve, ata do të nisin grevë urie përpara ambienteve të SPAK. Akuza për falsifikim dhe kallëzim penal

Sipas banorëve, resorti po ndërtohet mbi toka që i kanë në pronësi të trashëguar. Ata kanë depozituar kallëzim penal që më 25 mars të vitit të kaluar ndaj firmës ndërtuese dhe personave që dyshohet se kanë falsifikuar dokumentacionin e pronësisë në zonën Baks-Rrjoll.

Kjo është hera e dytë që ata paraqiten në SPAK për të kërkuar hetim mbi çështjen.

Projekti “Blue-Borgo” dhe statusi special

Resorti turistik “Blue-Borgo” parashikohet të ndërtohet në kufi mes zonës së Rana e Hedhun dhe Baks-Rrjollit, me një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh. Projekti përfshin vila dhe hotele luksoze me 5 yje.

Më 31 dhjetor 2024, biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj, morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për zhvillimin e këtij resorti në bregdetin e Velipojës.

Ndërkohë, tensionet në terren vijojnë, teksa banorët shprehen të vendosur për të kundërshtuar projektin, duke deklaruar se “tokën nuk e lëshojnë deri në vdekje”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit