

TIRANË, 18 Shkurt 2026 – Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamenti Europian, David McAllister, deklaroi se çështja që përfshin zëvendëskryeministren Belinda Balluku përbën një “test kritik” për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit.
Në një konferencë për mediat, McAllister bëri me dije se vizita e tij, e nisur në fillim të javës në Mal të Zi dhe më pas në Tiranë, zhvillohet në një moment kyç, kur Shqipëria ka hapur grupkapitullin e fundit të negociatave me Bashkimi Evropian dhe ka nisur puna për raportin vjetor që do të prezantohet në Parlamentin Europian javën e ardhshme.
Takimet me opozitën dhe qëndrimi për Berishën
McAllister tregoi se gjatë qëndrimit në Tiranë ka zhvilluar takime me përfaqësues të Partisë Demokratike, përfshirë Gazmend Bardhin, Jorida Tabakun dhe Albana Vokshin.
Ndërkohë, ai sqaroi se nuk do të zhvillonte një takim me kreun e PD-së, Sali Berisha.
“U takova me Bardhin, Tabakun dhe Vokshin, por nuk do të takohem me Berishën sepse do të iki në aeroport”, tha McAllister.

Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamenti Europian, David McAllister
“Test kritik” për luftën kundër korrupsionit
Duke komentuar rastin e Ballukut, McAllister theksoi se është në dijeni të çështjes, por nuk mund të shprehet në detaje për raste individuale.
“Unë nuk mund të komentoj me hollësi për çështje individuale. Por për këtë rast që përfshin zonjë Balluku, do të thosha që është një çështje që do të bëjë test kritik për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit”, deklaroi ai.
Ai shtoi se çështja ka qenë pjesë e diskutimeve gjatë vizitës në Tiranë, duke nënvizuar se përtej aspektit juridik ekziston edhe një dimension i përgjegjësisë politike.
“Kjo çështje ka pasur një rol gjatë vizitës dhe takimeve tona në Shqipëri. Nuk jam në pozicion të komentoj një çështje individuale. Po vij nga Brukseli dhe kam dijeni mbi rastin, por nuk do të përfshihem në çështjet ligjore të këtij rasti”, u shpreh McAllister.
Deklaratat e tij vijnë në një periudhë vendimtare për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, ku sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit mbeten ndër kriteret kyçe të vlerësimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






