Transmetuar më 18-02-2026, 14:07

TIRANË, 18 Shkurt 2026 – Kryetari i Delegacionit të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamenti Europian, David McAllister, deklaroi se Shqipëria duhet të vijojë përpjekjet dhe të intensifikojë reformat për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në Bashkimi Evropian.

Në një prononcim për mediat, McAllister theksoi se vizita e tij në Shqipëri vjen në një moment kyç për vendin, ndërsa është hapur grupkapitulli i fundit i negociatave për anëtarësim dhe pritet raporti i radhës i vlerësimit mbi ecurinë e reformave.

“Vizita jonë vjen në një moment shumë vendimtar, teksa Shqipëria ka hapur grupkapitullin e fundit të negociatave për anëtarësim në BE dhe është në pritje të raportit të vlerësimit të punës së saj. Ne vazhdojmë mbështetjen e fortë për Shqipërinë në rrugën e integrimit në BE. Njohim rezultatet e arritura për hapjen e të gjithë kapitujve brenda 13 muajve. Por nuk ka kohë për vetëkënaqësi. Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të punojë edhe më shumë për të përmbushur kërkesat dhe për të mbyllur negociatat,” u shpreh McAllister.

Ai nënvizoi se procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në meritë, ku çdo vend kandidat vlerësohet sipas përmbushjes konkrete të kritereve.

Megjithatë, McAllister shprehu shqetësim për klimën politike në vend, duke theksuar se polarizimi dhe protestat e dhunshme nuk janë në përputhje me standardet e një demokracie funksionale.

“Procesi i zgjerimit është një proces i bazuar mbi meritën; secili vend vlerësohet në bazë të përmbushjes së kritereve. Por jemi të shqetësuar për polarizimin politik në vend. Protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale,” tha ai.

Deklaratat e tij vijnë në një fazë vendimtare për integrimin europian të Shqipërisë, ndërsa pritet që raporti i ardhshëm i progresit të përcaktojë hapat e mëtejshëm në procesin e negociatave.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit