

Friedrich Merz: “Nuk dua që Gjermania të ketë arsenal të vetin bërthamor”
Kancelari gjerman Friedrich Merz përjashtoi kategorikisht mundësinë që Gjermania të zhvillojë një program të pavarur bërthamor, por la të hapur opsionin e pjesëmarrjes në një kuadër evropian të parandalimit bërthamor, me përdorimin e armëve franceze ose britanike.
Në deklarata për podcast-in Machtwechsel (“Ndryshim pushteti”), Merz theksoi: “Nuk dua që Gjermania të mendojë për sigurimin e një arsenali të vetin, të pavarur bërthamor”, duke rikujtuar angazhimet ndërkombëtare të Berlinit.
Ai iu referua posaçërisht marrëveshjes “2+4” të vitit 1990, e cila hapi rrugën për ribashkimin e Gjermanisë, si dhe Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), në bazë të të cilave vendi është zotuar të mos zhvillojë armë bërthamore.
Megjithatë, ndonëse përjashtoi një program kombëtar bërthamor, kancelari i CDU-së la hapësirë për bashkëpunim në kuadër të një strukture evropiane të parandalimit. Sipas tij, mund të shqyrtohet përdorimi i avionëve gjermanë për dislokimin e armëve bërthamore franceze ose britanike.
Merz rikujtoi se avionët luftarakë Tornado të Forcave Ajrore Gjermane, të stacionuar në bazën ajrore Büchel, janë tashmë të gatshëm për përdorimin e armëve bërthamore amerikane në kuadër të NATO-s. “Teorikisht, kjo mund të vlejë edhe për armët bërthamore të Britanisë dhe Francës”, deklaroi ai.
Propozimi francez
Gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih javën e kaluar, Merz zbuloi se ndodhet në dialog me presidentin francez Emmanuel Macron lidhur me propozimin për krijimin e një kuadri evropian të parandalimit bërthamor.
Ideja ishte hedhur që në vitin 2020 nga Macron, gjatë mandatit të parë të Donald Trump si president i SHBA-së. Asokohe ajo ishte pritur me rezervë nga Angela Merkel dhe pasardhësi i saj Olaf Scholz. Tani, Merz shfaqet më i hapur për diskutime mbi këtë propozim francez.
Parandalimi bërthamor në Evropë mbështetet kryesisht në praninë e armëve bërthamore amerikane në vendet anëtare të NATO-s, të cilat vlerësohet se janë rreth 100. Disa prej tyre ndodhen në bazën Büchel në Gjermani, në kuadër të politikës së “ndarjes bërthamore” (nuclear sharing) të Aleancës. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






