Transmetuar më 18-02-2026, 07:29

Shqipëria po përballet me një valë të re dhe të përshpejtuar emigracioni, me migracionin neto që vijon të mbetet negativ gjatë gjithë periudhës 2011–2025. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, nga 1 janari 2021 deri më 1 janar 2025 vendi ka regjistruar rreth 138 mijë largime më shumë sesa kthime.

Të dhënat tregojnë se fenomeni ka qenë i qëndrueshëm prej më shumë se një dekade, por pas pandemisë Covid-19 ai është përshpejtuar ndjeshëm, duke arritur nivelet më të larta historike të dekadës së fundit.

Ecuria ndër vite

Në vitin 2011, migracioni neto ishte -18,765 persona, duke mbetur në intervale të ngjashme deri në vitin 2015, kur arriti në rreth -20,600 persona.

Në periudhën 2016–2018 u vu re një përmirësim i përkohshëm. Në vitin 2016, migracioni neto u ngadalësua në -9,473 persona dhe në vitet 2017–2018 u stabilizua në rreth -15 mijë persona, kryesisht si pasojë e kthimit të azilkërkuesve nga Gjermania pas valës së emigrimit të vitit 2015.

Pas vitit 2019, prirja u përkeqësua ndjeshëm. Në vitin 2019, migracioni neto arriti -23,082 persona, ndërsa në vitin 2020 u regjistrua -16,684 persona, një nivel i ndikuar nga kufizimet e pandemisë që frenuan përkohësisht lëvizjet ndërkombëtare.

Pas pandemisë, ritmet e largimeve u rritën ndjeshëm:

2021: -32,853 persona

2022: -32,497 persona

2024: -43,761 persona (niveli më i lartë i regjistruar, i ndikuar edhe nga korrektimet e Censusit 2023)

2025: -28,836 persona

Rritje e lejeve të qëndrimit në BE

Të dhënat e Eurostat konfirmojnë trendin rritës. Për periudhën 2021–2024, vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë dhënë 284,585 leje qëndrimi për herë të parë për shtetas shqiptarë.

Vihet re një rritje e ndjeshme e lejeve për qëllime punësimi, të cilat përbëjnë rreth një të tretën e totalit dhe janë dyfishuar krahasuar me periudhën para pandemisë.

Tkurrje e të rinjve dhe cikël demografik negativ

Shqipëria po hyn në një cikël të përshpejtuar të tkurrjes demografike. Edhe pse numri i të rinjve është në rënie, intensiteti i largimeve në këtë grup-moshë është rritur. Sipas të dhënave, rreth 80% e emigrantëve të rinj i përkasin grup-moshës 18–34 vjeç.

Fenomeni nuk përfshin më vetëm persona të papunë apo pa perspektivë ekonomike. Aktualisht po largohen studentë me rezultate të larta, profesionistë të rinj në sektorë si shëndetësia dhe teknologjia e informacionit, zanatçinj të kualifikuar, si dhe raste të shumta bashkimesh familjare.

Ekspertët paralajmërojnë se emigracioni i lartë po krijon një cikël vicioz: rënie të popullsisë, plakje të shpejtë të strukturës demografike dhe nxitje të mëtejshme të largimeve, për shkak të perceptimit të mungesës së perspektivës brenda vendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit