

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka kërkuar dorëheqjen e kryeminsitrit Edi Ramës. Në një deklaratë për shtyp, Berisha theksoi se, Amendamenti Rama-Balluku jep një mbrojtje që nuk ua ka dhënë Kushtetuta.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese hodhi në kosh të plehrave amendamentet, ligjin e ndryshuar për një mburojë më të madhe të kryetarit të KLSH. Gjithashtu Berisha theksoi se, Edi Rama kërkon të shkelmojë jo vetëm ‘frymën dhe germën e Kushtetutës’ , por edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Deklarata e plotë:
"Kjo nuk buron vetëm nga frymë dhe germa e Kushtetutës dhe kushtetutshmëria e rendit, por buron edhe nga vendimet direkte të Gjykatës Kushtetuese, të cilat për çdo vend janë të barabarta me normën e Kushtetutës. Kur në vitin 2002, parlamenti në një akt marrëzie si ky që duan të bëjnë tani, miratoi ligje dhe amendamente për të mbrojtur kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, vendimi numër 212 i vitit 2002 i Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese hodhi në kosh të plehrave amendamentet, ligjin e ndryshuar për një mburojë më të madhe të kryetarit të KLSH, që Edi Rama sot do t’ia japin. E kuptoni? Jo, tha gjykata, thjesht ligji për organin kushtetues nuk mund të japë atë që nuk e ka dhënë Kushtetuta. Kaq, nuk mundet. Kushtetuta ka përcaktuar këtë nivel mbrojtje. Ka përcaktuar nivel mbrojtje autorizimin nga parlamenti për kufizimin e lëvizjeve, të cilin e rrëzoi Gjykata Kushtetuese dhe unë e përgëzoj.
E rrëzoi në rastin e Sali Berishës dhe unë e përgëzoj atë, pavarësisht se është një vendim në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, por ata nuk kanë as ligj dhe as Kushtetutë. Pra, nuk lejon pa autorizimin e parlamentit, kufizimin e lëvizjes. Nuk lejon arrestimin. Kushtetuta mbron institucionin dhe funksionet e tij. Kushtetuta në asnjë germë, në asnjë nen nuk pranon të mbrojë me mospezullim. Jo. As kryeministrin. Pra, Edi Rama kërkon të shkelmojë jo vetëm frymën dhe germën e Kushtetutës, por edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Rasti konkret, kryetari i KLSH. Por si institucion kushtetues ka ngjashmërinë e vet me institucionet e tjera. Mirëpo ai, dhe ata këshilltarët, të mos e prish gojën për t’ua thënë atë që meritojnë, shkelmojnë normën kushtetuese që është vendimi i Gjykatës Kushtetuese 212 i vitit 2002. Pikërisht për kryetarin e KLSH, të cilit donin t’i jepnin mburojë. Jo, tha gjykata, asnjë mbrojtje tjetër përveç asaj që parashikon Kushtetuta. Nuk mund të ndryshohet Kushtetuta me ligje.", tha Berisha.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






