

TIRANË, 17 shkurt 2026 – Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka finalizuar operacionin e koduar “Filizat”, në kuadër të hetimeve për shfrytëzim të të miturve për punë dhe lypje.
Si rezultat i veprimeve hetimore disa mujore, u ekzekutuan masat e sigurisë për 8 shtetas, të dyshuar se individualisht dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin shfrytëzonin fëmijët e tyre, të moshave 9–11 vjeç, kryesisht gjatë natës, për të punuar dhe për të lypur në zona të ndryshme në juridiksionin e Komisariatit Nr. 2.
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasit:
E. B., 41 vjeç
R. S., 35 vjeç
M. R., 35 vjeç
M. G., 34 vjeç
Ndërsa masën “arrest në shtëpi” për shtetaset:
L. B., 35 vjeçe
A. M., 41 vjeçe
M. S., 35 vjeçe
A. Sh., 35 vjeçe
Sipas policisë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe verifikimin e rrethanave të tjera që lidhen me shfrytëzimin e të miturve.
Prokuroria e Tiranës kërkon 8 masa sigurie ndaj prindërve të cilët detyronin fëmijët e tyre të shisnin lule e lypnin në orët e vona të natës në zonën e ish-bllokut; akuza
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkoi tetë masa sigurie ‘Arrest në burg’ për shtetasit E.B., R.S., M.R. dhe M.G. dhe ‘Arrest në shtëpi’ ndaj shtetaseve L.B., M.S., A.M. dhe A.M. për veprën penale ‘Keqtrajtimi i të miturit’ parashikuar nga neni 124/b/2 i Kodit Penal.
Nga hetimet e procedimit penal nr.6894, të vitit 2025 në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, rezultoi se në zonën e ish-bllokut, disa shtetas shfrytëzonin nëpërmjet dhunës dhe kërcënimit disa të mitur të cilët i detyronin që të shisnin lule me qëllim përfitimi.
Me qëllim kapjen e tyre në flagrancë, u fiksua ambienti ku ata sillnin të miturit dhe parkojnë automjetet e tyre, në rrugën "Ibrahim Rugova", Tiranë, dhe u autorizua kryerja e vëzhgimit dhe përgjimit ambiental. Nga këto veprime hetimore rezultoi se, subjektet e dyshuara afrohen në rrugën “Imail Qemali”, me automjete dhe parkojnë aty. Nga automjetet dalin bashkëshortet dhe të miturit, të cilët zbresin më lule në duar dhe vendosen në rrugën “Ibrahim Rrugova”. Ata vijnë rreth orës 20:00 dhe largohen rreth orës 00:00 në ditët e javës dhe në fundjavë largohen rreth orës 04:00-05:00 së bashku me fëmijët.
Nga këqyrja e pamjeve filmike, vëzhgimit dhe të dhënave të marra në rrugë operative dyshohet se fëmijët nuk përdoren thjesht për shitjen e luleve, por kjo mënyrë shërben si formë e lypjes së të hollave dhe kërkohet nga ana e të miturve nga qytetarët që kalojnë dhe nuk janë të interesuar për të blerë.
Kjo veprimtari së pari nuk i përshtatet moshës së tyre, pengon mirërritjen, pasi koha të cilën ata qëndrojnë në rrugë është e papërshtashme dhe pengon regjimin e tyre siç është fjetja vonë. Gjithashtu, ambienti ku ata qëndrojnë është i ekspozuar në kushte atmosferike të pafavorshme si i ftohti, shiu, etj. Të miturit të gjithë janë nën moshën 16 vjeç, e cila sipas Kodit të Punës parashikon edhe fillimin e marrëdhënieve të punës. Ata nuk kanë zotësi veprimi në kuadër të Kodit Civil. Si të tillë, ata kanë ndërvarësi të plotë nga prindërit e tyre, njëkohësisht edhe kudjestarë ligjorë. Si të tillë ata vihen nga prindërit për të kryer punë e cila sjell të ardhura financare. Kjo punë është kryer në vijimësi, në shumë raste dhe ka penguar edhe jetesën e qetë, shkollimin e tyre dhe ndjekjen e rregullt të saj.
Nga sa më sipër, nga ana e Prokurorisë së Shkallë së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u kërkua caktimi i masës së sigurisë ndaj 8 shtetasve nën akuzë për veprën penale ‘Keqtrajtimi i të miturve’.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






