Transmetuar më 17-02-2026, 10:00

PRISHTINË, 17 shkurt 2026 – Në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në kryeqytet pritet të mbahet sot marshi “Drejtësi, jo politikë”, i organizuar nga platforma Liria ka Emër.

Sipas organizatorëve, pjesëmarrja pritet të jetë masive, me mbi 200 mijë qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare. Manifestimi synon të shprehë qëndrimin kundër procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe është paralajmëruar si tubim paqësor dhe gjithëpërfshirës, me kërkesën për drejtësi të paanshme.

Marshi zhvillohet në kohën kur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vijon procesi i deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Një ditë më parë u zhvillua seanca e gjashtë e deklaratave përmbyllëse, ndërsa procesi pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Mbrojtja ka argumentuar se nuk ekzistojnë prova për akuzat e ngritura, ndërsa Prokuroria ka kërkuar shpalljen fajtor të të pandehurve. Pas përfundimit të deklaratave, çështja do t’i kalojë trupit gjykues për vendimmarrje.

Për mbarëvajtjen e tubimit në Prishtinë janë angazhuar njësitë policore, shërbimet zjarrfikëse dhe strukturat emergjente. Sipas organizatorëve, transporti me autobusë nga komunat e ndryshme pritet të lehtësojë pjesëmarrjen e qytetarëve në marsh.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit