Transmetuar më 17-02-2026, 08:39

Çfarë thanë Francis Ford Coppola, Robert De Niro, Al Pacino dhe Adam Sandler

Hollywood-i dhe bota e artit i bëjnë homazh aktorit të shquar Robert Duvall, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare. Aktori i vlerësuar me çmimin Oscar ndërroi jetë “në paqe” në shtëpinë e tij në Middleburg të Virxhinias të dielën, njoftoi bashkëshortja e tij, Luciana.

“Dje i dhamë lamtumirën bashkëshortit tim të dashur, mikut tim më të mirë dhe një prej aktorëve më të mëdhenj të kohës sonë. Bob u largua qetësisht nga kjo jetë në shtëpinë e tij, i rrethuar nga dashuria dhe ngrohtësia. Për botën, ai ishte një aktor, regjisor dhe rrëfimtar i vlerësuar me Oscar. Për mua, ai ishte gjithçka. Pasioni i tij për artin e tij barazohej vetëm me dashurinë e thellë për personazhet, për një vakt të mirë dhe për të qenë në qendër të vëmendjes. Në secilin prej roleve të tij të shumta, Bob jepte gjithçka për personazhet dhe për të vërtetën e shpirtit njerëzor që ata përfaqësonin. Në këtë mënyrë, ai lë diçka të përjetshme dhe të paharrueshme për të gjithë ne. Ju falënderojmë për vitet e mbështetjes që i treguat Bob-it dhe për kohën dhe privatësinë që na dhatë për të nderuar kujtimet që na la”, thuhej në deklaratën e saj.

“Nderojeni duke parë një film të tij”

Sipas njoftimit, familja e aktorit “i inkurajon ata që dëshirojnë të nderojnë kujtimin e tij ta bëjnë këtë në një mënyrë që pasqyron jetën që ai jetoi: duke parë një film të mrekullueshëm, duke treguar një histori të bukur rreth një tavoline me miq ose duke bërë një shëtitje me makinë në fshat për të vlerësuar bukurinë e botës”.

Duvall interpretoi këshilltarin e familjes Corleone në filmin “The Godfather” të Francis Ford Coppola, duke fituar nominimin e parë nga shtatë gjithsej për Oscar për filmin e vitit 1972, përpara se të rikthente rolin dy vite më vonë në “The Godfather II”.

Ai interpretoi një sërë figurash historike gjatë karrierës së tij, si Robert E. Lee (“Gods and Generals”), Joseph Stalin (në filmin e HBO “Stalin”) dhe kriminelin nazist të luftës Adolf Eichmann (“The Man Who Captured Eichmann”).

Jeta dhe rrugëtimi i tij

Lindi në San Diego të Kalifornisë dhe, kur u zhvendos në Nju Jork për të studiuar teatër, ndante apartament me Dustin Hoffman dhe shoqërohej me Gene Hackman, atëherë aktor i ri.

Karriera e tij në kinema zgjati gjashtë dekada. Ai u bë i njohur për interpretimet në filmat “The Godfather” dhe “Apocalypse Now”, ndërsa rolet e tij në “The Great Santini”, “Lonesome Dove” dhe “The Apostle” e konsoliduan si një nga aktorët më të mëdhenj të brezit të tij.

Aktori i shquar fitoi Oscar-in për Aktorin më të Mirë për interpretimin në filmin “Tender Mercies” të vitit 1983.

Duvall u bë i njohur në vitin 1959 me pjesëmarrjen në serialin televiziv “The Twilight Zone” dhe më pas kaloi në kinema, duke interpretuar rolin e Boo Radley në filmin e vitit 1962 “To Kill a Mockingbird”, përkrah Gregory Peck.

Filma të tjerë të rëndësishëm në karrierën e tij përfshijnë: “MAS*H” (1970), “THX 1138” (1971), “The Conversation” (1974), “Network” (1976), “The Natural” (1984), “Colors” (1988), “Sling Blade” (1996), “A Civil Action” (1998) dhe “The Judge” (2014).

Hollywood-i e përshëndet me respekt

Regjisori Francis Ford Coppola i bëri homazh “konsilierit” legjendar të “The Godfather”, duke theksuar se ishte një “aktor i madh” me të cilin bashkëpunoi në pesë filma.

“Çfarë goditjeje të mësosh për humbjen e Robert Duvall. Një aktor kaq i madh dhe një element i pazëvendësueshëm në American Zoetrope që nga fillimi”, shkroi regjisori i njohur në Instagram.

Al Pacino e quajti Duvall “aktor të lindur”, duke theksuar se do t’i mungojë. “Ishte nder të bashkëpunoja me Robert Duvall. Ishte aktor i lindur (…) do ta kujtojmë gjithmonë talentin e tij të jashtëzakonshëm”, u shpreh ai.

“Zoti e bekoftë Bob-in. Shpresoj të jetoj deri në 95 vjeç. U prehtë në paqe”, deklaroi për Associated Press Robert De Niro, i cili bashkëpunoi me Duvall në filmat “The Godfather II” dhe “True Confessions”.

“Jashtëzakonisht argëtues. Jashtëzakonisht i fuqishëm. Një nga aktorët më të mëdhenj që kemi pasur ndonjëherë. Një njeri i mrekullueshëm për të biseduar dhe për të qeshur. E donim shumë. Të gjithë e donim. Ka kaq shumë filma legjendarë për të zgjedhur. Shikojini sa herë të mundeni. Ngushëllimet tona për bashkëshorten e tij, Luciana, dhe për familjen e miqtë e tij”, ishin fjalët e Adam Sandler në platformën X.

“Një tjetër mik largohet. Luajtëm bashkë dhe u bëmë miq. Ndavëm një pasdite të bukur në verandën time duke folur për kuajt. Ishte mishërimi i madhështisë si aktor”, shkroi në Instagram Michael Keaton, bashkëaktor i Duvall në filmin “The Paper”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit